E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonasit, të frustruar nga atmosfera festive mbarëshqiptare për 100 vjetorin

22-11-2012 / Gazeta 55

Maqedonasit në 100 vjetorin e kremtimit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar, e gjejnë veten midis ndjenjës së padrejtësisë, frikës, zilisë, por edhe frustrimit. Ata ndihen si të nënrenditur nga historia dhe shqetësohen që shqiptarët ndjejnë më shumë për shtetin amë, sesa për republikën në të cilën bëjnë pjesë

Kremtimet për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptarë po arrijnë kulminacionin në të gjitha trojet, ku të paktën jeton edhe një shqiptarë. Por, si e shohin maqedonasit kremtimin e kësaj date të madhe për shqiptarët. Bazuar nga informimi mediatik, dosido vërehet dozë e frikës, urrejtjes apo edhe frustrimit. Megjithatë, profesorët maqedonas kanë një mendim ndryshe. Sipas tyre s’bëhet fjalë për urrejtje, por për ndjenjë padrejtësie sikurse edhe të frikës. Profesoresha Biljana Vankovska është e mendimit se kur shënohen ngjarje të para 100 viteve, duhet patur llogari se historia nuk ka qenë njëtrajtësisht subtile ndaj dy popujve. “Derisa shqiptarët fituan shtetin e vet, edhe pse jo me kufijtë e saj ‘natyror’ - përfshirje të të gjitha territoreve ku shqiptarët kanë qenë shumicë, luftërat ballkanike janë përkujtim i dhimbshëm për maqedonasit, të cilët jo vetëm që nuk fituan shtet, por u ndanë në tre shtete dhe ndaj tyre filluan të zbatojnë masa të dhunshme të asimilimit dhe mohimit”, shprehet profesoresha Vankovska. Ajo thotë se maqedonasit kanë vetëm një shtet amë -  Republikën e Maqedonisë, ndërsa pakicat kombëtare në fqinjësi përjetojnë mohimin. “Në kushte të atilla, shqiptarët në mbarë rajonin e festojnë 100 vjetorin e Republikës së Shqipërisë, por këtë e paraqesin si komunitet i përbashkët politik dhe arritje më të madhe historike. Nga aspekti i maqedonasve nuk do të thosha se manifestohet urrejtje, por ndjenjë e padrejtësisë”, shprehet profesoresha. Ajo është e mendimit se ekzistojnë edhe elemente të frikës se shqiptarët e Maqedonisë më shumë shfaqin emocione dhe përkatësi ndaj një shteti të huaj, sesa e përjetojnë të veten Republikën ku jetojnë dhe ku, sipas Kushtetutës, kanë pozicion të posaçëm si bashkësi me të drejta të veçanta në krahasim me të gjitha bashkësitë e tjera joshumicë. Vankovska thotë se në kremtimin që po zgjat tërë vitin, e që së shpejti do ta arrijë kulminacionin, shqiptarët po e theksojnë posaçmërinë dhe përkatësinë, dhe kjo, sipas saj, gjithsesi nënkupton nacional-romantizëm në kuptimin e përkatësisë së asaj që quhet “atdhe i imagjinuar”.
Ndasia po thellohet/Por, profesori tjetër, Zhidas Daskallovski, përveç frikës, thotë se te maqedonasit ekziston edhe rezervë për qëllimet përfundimtare të partive politike në Maqedoni. “Marrëdhëniet maqedonase-shqiptare, edhe pse duhet të jenë shumë të harmonizuara, për fat të keq nuk janë në një nivel shumë të lartë. Nga ana e maqedonasve ekziston frikë dhe rezervë për atë se cilat janë qëllimet përfundimtare të partive politike në Maqedoni. Posaçërisht, me deklaratat që i kanë dhënë të parët e BDI-së lidhur me çështjen e Kosovës, kur komentohet se në rast të ndonjë krize në veri të Kosovës, do të thotë se nuk do të garantohet integriteti territorial i Maqedonisë. Mund të thuhet se ka të bëjë edhe me ato deklarata për djegien e Parlamentit nga PDSH. Ka të bëjë edhe me forma të tjera të veprimeve politike, që në njëfarë mënyre nuk e respektojnë shtetësinë e Maqedonisë, në atë masë aq sa pritet nga subjektet politike që janë në kuadër të Maqedoni”, thotë profesori. Sipas tij, të gjithë tendosjet që kanë ndodhur viteve të fundit në planin ndëretnik gjithashtu ndikojnë që të ketë dozë të rezervës dhe dozë të madhe të mos-arsyetimit të kremtimeve të ardhshme të Ditës së shtetësisë shqiptare, respektivisht të Flamurit shqiptar.
Festimi, i rregulluar me ligj/Por, a e shohin maqedonasit shënimin e 100 vjetorit si diçka që është kundër interesave të Maqedonisë. “Nuk duhet të jetë diçka që është në kundërshtim. Secila bashkësi etnike në vend ka edhe me ligj të drejtën e festave, të drejtën e respektimit të veçorive kulturore. Por, për fat të keq, për shkak të të gjitha thyerjeve ndëretnike dhe politike në Maqedoni, por edhe më gjerë në rajon, llogaritet pak më specifike ky kremtim i Flamurit dhe Shtetësisë shqiptare”, thotë Daskallovski. Sipas tij, ky është problem që duhet zgjidhur në shtigje më afatgjate, me harmonizimin e marrëdhënieve midis elitave politike dhe komuniteteve. Vankovska, duke përmendur se mjetet për kremtimin u siguruan nga buxheti i shtetit, mendon se është paksa jo e zakonshme, që të festohet formimi i një shteti fqinj. Por, shton ajo, të mos ishin incidentet nga muajt e kaluar, që tani përshkallëzohen me manifestime që “de facto” mund të shihen si shënim i territorit “të vet”, posaçërisht rajoni qendror i Kërçovës dhe Strugës, gjithë kjo do të kalonte edhe pa ndonjë emocion më të madh në opinion. “Është më së e qartë se partitë politike të bllokut shqiptar, posaçërisht BDI, e shfrytëzojnë kremtimin për qëllime politike dhe marrjen e pikëve te elektorati shqiptar, në prag të zgjedhjeve në mars. Ky është manifestim paksa i mjerë dhe i lirë, posaçërisht nëse shihet rrethina e fshatrave në Kërçovë apo në Radushë, fshatra që jetojnë vërtetë në të kaluarën dhe sipas standardit jetësor të banorëve”, shprehet Vankovska. Sipas saj, “në vend të arritjeve të shekulli 21, këtu kemi glorifikim të luftërave dhe trimave”. “Interesant është që glorifikimi i Jasharit është shënim për një trim që ka luftuar dhe ka vdekur për Kosovë të pavarur, përpos nëse vizioni i tij nuk e përfshinë ‘Shqipërinë e Madhe’. Jashari nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet në Radushë në vitin 2001 dhe për këtë është patetike dhe e pakuptimtë se çka dëshiron Ahmeti të porosisë. E kam fjalën se kjo është sjellje e papërgjegjshme nga politikanë që e dinë se në Maqedoni ndarjet po thellohen dhe se maqedonasit dhe shqiptarët thuajse nuk do të festojnë asnjë festë të vetme si të përbashkët. Ahmeti koketon me emocionet e qytetarëve shqiptarë, ndërsa është i pafuqishëm t’iu ofrojë jetë cilësore sot. Kështu që është më efikase dhe më e lirë të bëhen shtiza dhe flamuj të mëdhenj”, shprehet profesoresha Biljana Vankovska.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›