Ndryshimet e pritshme, policët do të mund të qëllojnë pa paralajmërim
TIRANË - Policët pritet të kenë të drejtën që të qëllojnë pa paralajmërim të gjithë ata persona që mbajnë në dorë një armë. Propozimi për të ndryshuar normativat ligjore pritet që të bëhet menjëherë pas nisjes së punimeve në Kuvendit në muajin shtator. Burime nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se ndryshimi i ligjit dhe i normativave ligjore kërkohet të bëhet me qëllim që efektivët e Policisë të kenë kohë për t’u kundërpërgjigjur ndaj personave që kërcënojnë me armë. Sipas ligjit aktual, efektivët e Policisë nuk kanë të drejtë të qëllojnë mbi personat, edhe pse ata mund të kenë armë në dorë dhe janë agresivë. Në ligj thuhet se, efektivët blu mund t’i qëllojnë agresorët, por asnjëherë në vende vdekjeprurëse. Por, me ndryshimet që do të propozohen, një person që ka armë në dorë mund të ekzekutohet nga policia pasi nuk pranon ta lëshojë atë.
Propozimet e pritshme
Ministria e Brendshme do të propozojë që në ligjin për policinë, në nenin ku flitet për përdorimin e armës, të ndryshojë. Ky nen thotë që policia nuk mund të qëllojë për vdekje një person që është kundërpërgjigjur me armë. Ky nen do të ndryshojë me qëllim që efektivët e policisë të qëllojnë menjëherë dhe në mënyrë vdekjeprurëse kur ka një armë në dorë. Paralajmërimi i ndryshimeve ligjore të bëra dy ditë më parë nga ministri i Brendshëm për të mbrojtur jetën e policëve përballë krimit, pritet të bëhet realitet gjatë muajit shtator. Këto ndryshime, në fakt, e kanë zanafillën që në fundin e gushtit të kaluar. Dy javë pas vrasjes së katër oficerëve të policisë nga Dritan Dajti në Durrës, kryeministri Sali Berisha urdhëroi përgatitjen e një ligji të ri.
Ligji
Përdorimi i armëve të zjarrit nga strukturat operacionale të Policisë dhe Forcat e Armatosura mbështetet në ligjin e miratuar që në vitin 1998. Por ky ligj e kufizon përdorimin e armëve të zjarrit. Pavarësisht rrethanave në të cilat mund të gjendet policia, efektivët duhet t’i evitojnë armët dhe ta shohin si mjetin e fundit të reagimit. Edhe pse personi i rrethuar nga policia mund të jetë me rrezikshmëri të madhe, autor i disa vrasjeve, ai duhet paralajmëruar më parë me zë të lartë, pastaj duhet qëlluar me armë në ajër. Madje, neni 7 thotë se edhe kur personi kundërpërgjigjet, hapet zjarr, por duke synuar gjithnjë gjymtyrët e poshtme për të mos e asgjësuar kundërshtarin. Pika 3 e ligjit të vitit 1998, e cila flet për përdorimin e armëve të zjarrit nga Forcat e Armatosura, është ndryshuar me urgjencë në mesin e majit të këtij viti. Shtesa është bërë për të ligjëruar veprimtarinë e kontingjentit të parë ushtarak që merr pjesë direkt në frontin e luftimit në Afganistan. Ndërsa sa i takon veprimtarisë së policisë, duhet rregulluar kuadri nënligjor, pikërisht neni 7 i ligjit. Pritet që pas ndryshimeve ligji të parashikojë qartë dhe rastet se kur forcat e policisë duhet të qëllojnë pa paralajmërim ndaj eksponentëve të krimit.
Deklarata e Bashës
Vrasja e katër oficerëve në operacionin për kapjen e Dritan Dajtit e ka bërë të domosdoshëm ndryshimin e sjelljes së policisë në betejën me krimin. Ndryshimet e pritshme ligjore e ashpërsojnë luftën, por nuk e nxjerrin me atë të zbuluar në operacionet për kapjen e të superkërkuarve. Vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka lënë të kuptohet qartë se krimi nuk do të ketë kohë të qëllojë mbi policinë. "Një vit më parë ne humbëm katër oficerë policie, 4 prej miqve dhe të afërmve tanë më të shtrenjtë, por dhimbja e madhe që ndiejmë nuk na ligështon, por na bën krenarë dhe na jep forca të vazhdojmë rrugën e tyre të sakrificës, të përkushtimit për detyrën", - u shpreh Lulzim Basha gjatë homazheve për vrasjen e katër policëve.
Energjia elektrike u merr jetën dy elektricistëve
TIRANË - Kontakti me rrymën elektrike ka qenë fatal dje për dy elektricistë në Tiranë e Durrës. Një 33-vjeçar humbi jetën mesditën e djeshme në Tiranë si pasojë e rënies në kontakt me energjinë elektrike. Ngjarja ndodhi gjatë mesditës, kur 33-vjeçari Altion Resa, me profesion elektricist, po riparonte një defekt në një lokal pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Me të marrë sinjalizim për ngjarjen, blutë e Tiranës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Sipas hetimeve paraprake mësohet se 33-vjeçari Resa po riparonte një defekt në qarkun elektrik të lokalit ku gjeti edhe vdekjen pas kontaktit me rrymën. Edhe pse i riu u dërgua në urgjencën e Maternitetit për t’iu dhënë ndihma e parë nga mjekët, si vendi më i afërt me ngjarjen, 33-vjeçari nuk mundi të mbijetonte. Ndërkaq, një tjetër elektricist ka humbur jetën pasditen e djeshme në një fshat të Durrësit. Burime nga qyteti bregdetar bëjnë të ditur se bëhet fjalë për 42-vjeçarin Xhavit Çota. Ngjarja ndodhi në fshatin Hardhishtë, kur Çota punonte për instalimin elektrik në një banesë. Sipas policisë, 42-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike nga ku ka gjetur edhe vdekjen e menjëhershme.
Të dehur, kundërshtojnë patrullën e përgjithshme
KORÇË - Tre të rinj janë vënë në pranga pasi kanë kundërshtuar policinë. Uniformat blu të Korçës kanë arrestuar në flagrancë tre të rinj, të cilët, në gjendje të dehur kanë fyer, goditur dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të patrullës së përgjithshme. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë, duke saktësuar se të ndaluarit janë përkatësisht Kledion Cale, 25 vjeç, Kostika Laçe, 22 vjeç dhe Petro Selimllari, 41 vjeç, që të tre banues në Korçë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së dy ditëve më parë, te lokal “Birra Panda” në qytetin juglindor. Bëhet me dijeni se menjëherë nisën të kryhen veprimet hetimore procedurale për veprën penale “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “kundërshtim i punonjësit të policisë”, si dhe “goditje për shkak të detyrës, fyerje për shkak të detyrës”. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Korçës për hetimet të mëtejshme.
Aksion kundër shitjes së paligjshme të celularëve
TIRANË - Aksion kundër shitjeve të celularëve. Policia e kryeqytetit tha se rreth orës 12:30 të dy ditëve më parë, specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, në bashkëpunim me forcat e policisë së Komisariatit Nr. 3, në afërsi të Postës Qendrore shoqëruan disa persona, të cilëve iu sekuestruan disa aparate celularësh gjatë momenteve të tregtimit të tyre në automjetin tip “Fiat” me targë TR 4160 R. Bllokimi e sekuestrimi i këtyre aparateve u bë pasi këta persona po tregtonin në mënyre të kundërligjshme, duke mos qenë të licencuar për ushtrimin e këtij aktiviteti. Materialet e sekuestruara i kanë kaluar për kompetencë të mëtejshme strukturës së hetimit tatimor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë.
Vjedhin shkollën, dy adoleshentë në pranga
LAÇ - Dy adoleshentë janë arrestuar nga policia të akuzuar si autorë të grabitjes së shkollës 9-vjeçare në qytetin Laç të rrethit Kurbin. Sipas policisë, autorët janë: E. Gj. dhe Gj. GJ., të dy me banim në Kurbin, të dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Vjedhja e shkollës ndodhi në datën 20 korrik, ku autorët dyshohen se kanë vjedhur kompjuterë, një printer dhe aksesorë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të "vjedhjes".
11 Gusht 2010