E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet banka, tre të rinj të maskuar marrin 350 mijë lekë



Artan CENA
TIRANË - Grabitet filiali i një banke private. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Rrugën e Kavajës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë ditën e djeshme se tre persona të armatosur dhe me maska arritën të merrnin shumën prej 350 mijë lekësh në filialin e bankës NBG. Grabitësit, tre të rinj, pasi kanë marrë shumën e parave që mbahej për pagesat e emergjencës, janë larguar me motorë për të shmangun trafikun e madh që është këto ditë në kryeqytet. Ishin punonjësit e bankës që kanë njoftuar policinë dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur patrulla të shumta. Por ata ishin me vonesë, pasi grabitësit e armatosur dhe me maska ishin larguar prej disa minutash. Menjëherë kanë nisur hetimet dhe janë marrë në pyetje punonjësit. Gjithashtu është marrë dhe dëshmia e rojës private që ndodhej në turn. Burime nga policia thanë se kanë administruar dhe pamjet filmike që kanë marrë kamerat e sigurisë, por identifikimi është i vështirë për shkak të maskave që kanë mbajtur në fytyrë.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 09:15 të ditës së djeshme në Rrugën e Kavajës në Tiranë, kur persona të armatosur kanë grabitur një nga filialet e bankës NBG. Sipas Policisë së kryeqytetit, menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka filluar veprimet e para hetimore dhe procedurale. Sipas policisë, hetimet në terren janë duke vazhduar me intensitet, me qëllim zbulimin e tre personave që grabitën bankën. “Këto hetime po vazhdojnë të zhvillohen intensivisht për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj”, - thanë dje burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Nga hetimet paraprake të uniformave blu rezulton se autorët kanë qenë të maskuar, njëri prej tyre i armatosur. Ata kanë mundur të marrin në këtë bankë sasinë prej 350 mijë lekësh. Kjo sasi parash përdorej nga punonjësit e bankës për pagesa emergjente.
Masat
Pas grabitjes së bankës, Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë, duke marrë shkas dhe nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të Dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar të tyre si dhe bizneseve në përgjithësi. Pak muaj më parë, në një takim të drejtorit të uniformave blu të kryeqytetit me shoqëritë e policive private, u vendos që të rriteshin masat në banka. Por dhe pse këto masa janë rritur, muaj e fundit pre e grabitjeve kanë rënë disa banka në zona të ndryshme të Tiranë. Në lidhje me grabitjen e ndodhur policia tha se hetimet janë marrë në dorë nga Prokuroria e Tiranës.

Peshkatarët shqiptarë shpëtojnë nga mbytja turistin serb
PODGORICË - Peshkatarët shqiptarë kanë arritur të shpëtojnë nga mbytja një shtetas serb, të cilin dallgët dhe rrjedha e kishin rrëmbyer nga ujërat malazeze dhe e kishin hedhur në ujërat territoriale shqiptare. Dusan Kekiç, 23 vjeç, student në Mjekësi, nga Beogradi, kishte qenë duke luajtur volejboll me katër shokët e tij kur papritur dallgët dhe rrjedha e kishin marrë me vete larg plazhit Ada Bojana, afër Ulqinit, në jug të Malit të Zi, i njohur si plazh nudistësh. Gazeta malazeze “Vijesti” thotë se turisti serb kishte arritur të shpëtohej pas 24 orësh qëndrimi në det. Tre prej shokëve të tij kishin arritur të shpëtoheshin nga një varkë turistësh, ndërsa 23-vjeçarin e kishte marrë rryma e ujit duke u mbajtur në një top. “Topi më shpëtoi, pa atë unë do të isha mbytur”, - ka thënë Kekiç për “Vijesti”. Ai tregon se ishte përpjekur të qëndronte i qetë dhe të përpiqej të arrinte brigjet disa herë, por rrjedha, era dhe dallgët nuk e lejonin. Kishte rënë nata dhe ai e kishte gjetur veten mbi një top në mes të detit. “Mendoja për gjërat që më pëlqenin dhe pëshpëritja këngët që më pëlqenin", - tregon i riu. Djaloshi kishte notuar rreth 20 km në jug, përgjatë kufirit detar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe të dielën në mëngjes ishte dalluar nga peshkatarët shqiptarë. “Nëse ata do të vinin më vonë besoj se do të kishte qenë shumë vonë për mua. Isha shumë i lodhur”, - ka thënë Kekiç. Të nesërmen, 23-vjeçari është kthyer në Mali të Zi për të vazhduar pushimet.

Makina bie në kanal, vdes pasagjeri, arrestohet
shoferi
SHKODËR - Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e djeshëm në Velipojë të Shkodrës. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave, nga shpejtësia e lartë makina ka rënë në kanal dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Izmir Dani, 22 vjeç. Sipas tyre, në orët e para të mëngjesit të djeshëm është bërë arrestimi i Kolë Shabës, 22 vjeç, banues në Bushat, rrethi Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi në orën 02:30, në aksin rrugor Velipojë-Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Ura Gjolulit, i lartpërmenduri, duke drejtuar mjetin e tij tip “Benz 250”, me targa SH 9633 D, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Si pasojë nga aksidenti ka humbur jetën Izmir Dani, 22 vjeç, nga fshati Bërdicë i rrethit Shkodër, i cili udhëtonte si pasagjer në këtë autoveturë. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor i policisë dhe nga veprimet e kryera rezulton se ngjarja ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit dhe mungesës së sinjalistikës rrugore, ku për pasojë mjeti ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal me ujë. Uniformat blu thanë se janë kryer veprimet e duhura hetimore e procedurale në vendin e ngjarjes dhe dosja me materialet në ngarkim të shtetasit Kolë Shaba i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Aksidentet, dy të plagosur rëndë në Elbasan
ELBASAN - Dy persona kanë mbetur të plagosur nga dy aksidente të ndryshme në rajonin e Elbasanit. Përplasjet ndodhën paraditen e djeshme. Ngjarja e parë ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, kur një shtetas, duke drejtuar një motor, ka përplasur një 58-vjeçare. E lënduara është shtetasja me inicialet M. Z., banuese në fshatin Katundi i Ri Elbasan. Ajo është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti tjetër ndodhi në unazën e qytetit të Librazhdit, ku ka mbetur e plagosur një vogëlushe 5-vjeçare. Ngjarja ndodhi kur një 40-vjeçar, i quajtur Bujar Mushi, ka goditur me mjetin e tij vajzën 5-vjeçare me inicialet L. G., banuese në Lagjen Nr. 1 të Librazhdit. E dëmtuara është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e dy ngjarjeve.

Arrestohet i kërkuari që nga 2006-a për plagosje të rëndë
TIRANË - Kërkohej që nga viti 2006 për plagosje të rëndë, është vënë në pranga i dënuari me 2 vjet burg. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se është vënë në pranga një i dënuar për plagosje të rëndë. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se, dje në mesditë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit bënë të mundur ndalimin dhe ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë, për shtetasin Sabri Xhediku, 68 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë. Në ngarkim të tij, me vendim të datës 14 dhjetor 2006, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Me arrestimin e tij, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›