E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonët insistojnë për kishën në Kala

Nga Express më 07 shkurt 2011 në ora 12:34

Partitë dhe shoqata maqedonase apelojnë për vazhdimin e projektit për ndërtimin e kishës në Kalanë e Shkupit.

Partia ultranacionaliste, TMRO, e cila është pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE i jep mbështetje nismës për ngritjen e kishës, e cila siç thuhet “ka ekzistuar me shekuj në Kalanë e Shkupit dhe është shprehje e traditës krishtere ortodokse në këto troje”.

Kjo parti theksoi se qeveria nuk duhet të bie pre e trysnisë vehabiste për ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e kishës.

Edhe shoqata fetare dhe joqeveritare maqedonase kanë bërë thirrje për ndërtimin e kësaj kishe, duke paralajmëruar aktivitete tjera për realizimin e këtij projekti.

Punimet për ndërtimin e kishës përkohësisht u ndërprenë javën e kaluar pas kërkesës së partisë shqiptare në pushtet BDI. "Aty ku gjurmohet nuk ndërtohet, por konservohet.

Ne e respektojmë nevojën për gjurmime dhe konfirmimin e vlerave të gjetura historike, por kalaja si fortesë që i ka mbijetuar shumë periudhave kulturave dhe pushtimeve është historia vetë.

Për këtë arsye ndërtimi i objekteve të reja paraqet ndërhyrje dhe zhvlerësim të vlerave historike të këtij objekti të lashtë", ka theksuar në reagimin e saj BDI.

Kundër ndërtimit të këtij objekti që dëmton Kalanë e Shkupit janë shprehur edhe partitë e tjera politike dhe shoqatat joqeveritare e fetare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›