E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, 15 vjet burg për shkelësit e procesit zgjedhor

SHKUP- Kodi penal në Maqedoni parashikon dënime të larta për shkelësit e procesit zgjedhor dhe të gjithë atyre që do të përfshihen në incidente gjatë zgjedhjeve.

Mediat vendase në prag të zgjedhjeve në Maqedoni bëjnë me dije se Kodi Penal parashikohen dënime nga 3 deri në 15 vjet për të gjithë ata që shkaktojnë probleme, mbushje kutish, kërcënime dhe incidente tjera në ditën e zgjedhjeve të 5 qershorit.

Kodi penal gjithashtu parashikon dënime me burg edhe për ata që mashtrojnë qytetarët në ditën e zgjedhjeve, ata që keqpërdorin votën e lirë, ata që janë të përfshirë në blerjen e votave, lëndimin e të drejtës së votës, privatësinë e votimit si dhe ata që bllokojnë apo përfshihen në forma të ndryshme në pengimin dhe parregullësi të tjera gjatë procesit zgjedhor.

Ndër të tjera kodi parashikon dëshkim jo vetëm për prishësit e procesit zgjedhor, por edhe për partitë politike si dënime për keqpërdorimin e parave të buxhetit, në rast se ndonjë parti politike ka bërë një veprim të tillë.

Dënim me burg deri në 5 vjet për personin përgjegjës të një partie, i cili me kohë nuk ka dorëzuar raportin financiar rreth harxhimeve të fushatës zgjedhore, një afat që tani skadon ditën e enjte, me ç`rast partitë janë të detyruara të dorëzojnë raportet e harxhimeve financiare për fushatën.

Mediat vendase njoftojnë se OSBE/ODIHR ka përshëndetur këto ndryshime të kodit penal, mirëpo ato kanë shprehur vërejtjen për mosvarësinë e gjykatave gjatë ekzekutimit të vendimeve për dënime.
(e.m/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›