E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Wikileaks:Qëllimi i terroristëvebaza e Sudës

ATHINE-Dokumentet e publikuara së fundi nga Wikileaks, zbulojnë raportin e vitit 2008 të ekspertëve amerikanë, ku thuhet se objekti i terroristëve ka qenë edhe baza ushtarake detare e Sudës, në Kretë të Greqisë. Gjithashtu, si objektiv të terroristëve ishin caktuar tubacionet e gazit dhe të naftës në Greqi.

Këto të dhëna janë shkruar në një telegram të ambasadës së SHBA në Athinë, drejtuar departamentit të Shtetit.
Sipas gazetës më të madhe greke “Ta Nea”, goditja e infrastrukturës dhe burimeve kyce në territorin grek, edhe pse indirekt, do dëmtonin rëndë interesat e Amerikës.
Përveç goditjeve terroriste mbi objekte të vecantë si baza detare e Soudës, tubacionet e naftës dhe të gazit, por edhe mbi objekte të tilla si "linjat hekurudhore, rrugët e Greqisë së Veriut dhe kabllot nëndetëse", në këtë raportim flitej edhe për mundësinë e ndërprerjes apo crregullimeve të shërbimeve për fatkeqësitë natyrore në vend.

Sipas gazetës "Ta Nea", i dyti në listën e objekteve të shënjestruara nga terrorizmi në Greqi renditet porti i Pireut, i cili është i 10-i për nga madhësia, ngarkesa dhe aktiviteti në portet e Evropës dhe i pari ndër portet në Mesdheun Lindor.
Ndërkohë në dokumente thuhet se që nga gushti i vitit 2005 ambasada amerikane në Athinë kishte shprehur shqetësim lidhur me çështjet e sigurisë në portin e Pireut.

Në telegramet që ambasada amerikane në Athinë i dërgon departamentit të shtetit, Greqia cilësohet si një partner i mirë i SHBA, që ka dhënë kontribut të cmuar në sulmet në Irak, Afganistan etj. Telegramet thonë se axhenda kryesore e cdo vizite të zyrtarëve amerikanë ka qënë cështja e përmirësimit të bashkëpunimit ushtarak brenda NATO-s. “Gjembi” që pengon këto përpjekje, sipas këtyre dokumentave, nuk janë qeveritë greke, por negativiteti i qytetarëve dhe protestat e tyre, sado të vogla apo të paorganizuara, të frymëzuara nga ndjenjat anti-amerikane.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›