Maqedoni, 500 qytetarë kthehen në kufi

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka forcuar kontrollet në pikat kufitare, pas alarmit nga Komisioni Europian për rikthimin e regjimit të vizave për Maqedoninë.
Gjithashtu MPB ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit, rreth 500 persona janë kthyer nga pikat kufitare duke mos i lejuar për të udhëtuar në vendet e BE-së, për shkak të dyshimeve se udhëtojnë për të kërkuar azil.
Ndërkohë nga fillimi i këtij muaji, ka nisur kontrolli pranë agjencive turistike, dhe janë kontrolluar 63 agjenci turistike, prej të cilëve 13 janë gjobitur.
Në vitin 2010, numri i azilkërkuesve nga Maqedonia në zonën shengen ka qenë rreth 6500 qytetarë, vetëm në Belgjikë kanë qenë mbi 1000 qytetarë që kanë kërkuar të drejtën e azilit. Kërkesa për azil ka pasur edhe gjatë këtij viti, për në Belgjikë, Suedi, Gjermani dhe Finlandë.