Maqedoni, 9 vjetnga marrëveshjae Ohrit
SHKUP- Shënohet sot ne Maqedoni, nëntë vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001 në këtë vend. Por edhe 9 vjet pas miratimit, kjo marrëveshje nuk arrin të gjejë zbatim të plotë në institucionet shtetërore, ndërsa partitë shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të jenë të përcara, lidhur me implementimin e dokumentit kornizë që solli paqen pas konfliktit të armatosur. Abdylaqim Ademi, zëvendëskryeministër përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes, vlerëson se shqiptarët e Maqedonisë kanë arritur të marrin hisen që u takon. “Nëse gjatë vitit 2000, shqiptarët ishin të përfaqësuar vetëm me tre për qind, sot ata janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore me rreth 20 për qind”, thekson Ademi. Por, me këtë nuk pajtohet Imer Selmani, ish-zëvendëskryeministër përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, shqiptarët punësohen formalisht në administratë, por realisht rrinë në shtëpi dhe marrin pagesë si ndihmë sociale. Sipas tij, problem në vete paraqet dhe mospërdorimi në praktikë i Gjuhës Shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. “Edhe shenjat e komunikacionit, edhe mbishkrimet janë vetëm në gjuhën maqedonase” thotë Selmani. Ish-kryeministri Vllado Buçkoski, nga radhët e Lidhjes Social-Demokrate, deklaron se politika që e drejton kryeministri Nikolla Gruevski, është ajo që e bën të vdekur Marrëveshjen e Ohrit. Sipas mediave ne vend, një pjesë e partive politike dhe nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit do të mungojnë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Qeveria. Vete nënshkruesit e marrëveshjes, Cërvenkovski nga LSDM-ja dhe Arbër Xhaferi nga PDSH-ja nuk do të marrin pjesë në shënimin zyrtar. Edhe kryeministri Nikolla Gruevski ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje. Përfaqësuesit e misioneve te BE-se, NATO-s, OSBE-se dhe SHBA-ve, në vend thonë se marrëveshja Ohrit dhe dispozitat kushtetuese relevante mbeten të domosdoshme në ndërtimin e shoqërisë së qetë, juridike dhe të bashkuar multietnike. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të viti 2001 dhe implementimi i saj duhej të përfundonte që në vitin 2004.
(NEWS24/balkanWeb)
(NEWS24/balkanWeb)