Maqedoni: Ahmeti kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë një takimi që ka zhvilluar në Tetovë me ambasadorin amerikan, Poll Uolers, ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.
“ Çdo shtyerje dhe zvarritje e mëtejshme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO rrezikon arritjet e deritanishme dhe nxit elementët destruktive në vend dhe rajon për të krijuar destabilitet në të gjithë rajonin”, citohet të ketë thënë Ahmeti, sipas një komunkate të BDI-së, të publikuar pas takimit me ambasadorin amerikan.
Ai tha se zgjidhja e këtij kontesti “prodhon stabilitet, siguri dhe ndikon në sjelljen e investimeve të drejtëpërdrejta të huaja duke mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit”.
Kryetari i BDI-së, ka komentuar edhe rritjen e skepticizmit euroatlantik për nevoja të brendshme që në fakt, sipas tij “po prodhon edhe rritje të mostolerancës ndëretnike sepse shumica absolute e shqiptarëve dëshirojnë t`a shohin vendin sa më shpejt në NATO dhe BE, dhe nuk pranojnë orientim të ndryshëm politik të vendit nga ai euroatlantik."
Në komunikatë thuhet më tej se ambasadori amerikan i ka ofruar partneritet BDI-së për realizimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
” Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë t`a shohin Maqedoninë në NATO dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zgjidhjes së shpejtë të çështjes së emrit”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan, Poll Uolers.