E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Barroso:autoritetet të zgjidhin cështjen e emrit

SHKUP- Presidenti i Komisionit Evropian, Zhose Manuel Baroso ka kërkuar nga autoritetet në Shkup që sa më shpejt të zgjidhin çështjen e emrit, që të mund të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas takimit në Ohër me kryeministrin Nikolla Gruevski,

Baroso gjithashtu kërkoi përfundimin e reformave, vendosjen e dialogut politik dhe konsensus mes partive për çështjet me rëndësi strategjike për vendin.

“Çështja e emrit duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Besoj se vendi juaj duhet t’i vazhdoj bisedimet me Bashkimin Evropian, por për këtë duhet të zgjidhet çështja e emrit”,- u shpreh Baroso.

Ndërkohë kryeministri Nikolla Gruevski tha pas takimit se Maqedonia është e gatshme të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë, por zgjidhja sipas tij “ nuk duhet të rrezikojë interesat shtetërore dhe kombëtarë të Maqedonisë”.

Baroso dhe Komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle i cili gjithashtu qëndron në Ohër, u takuan edhe me presidentin Gjorgje Ivanov.

Maqedonia është etapa e fundit e turit të tyre ballkanik, që la jashtë Shqiperinë Kosoven dhe Serbinë.

(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›