Maqedoni, Berisha takon krerët shqiptarë

Berisha-Gruevski
Kryeministri Berisha është takuar me dy liderët e forcave më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni.
Pas një takimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ai tha se pas luftës së vitit 2001 të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm në Maqedoni.
Bashkimi Demokratik për Integrim është përfaqësuesja kryesore e shqiptarëve në Maqedoni dhe që pas luftës së drejtë të vitit 2001, të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm. Eshtë shënuar progres thelbësor në rritjen e peshës politike të shqiptarëve në jetën politike në Maqedoni, deklaroi Berisha.
Berisha përshëndeti mbylljen e rasteve politike të Hagës bashkë me miratimin e ndryshimeve në ligjet për përdorimin e flamurit kombëtar dhe gjuhës shqipe si dhe inkurajoi zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Ohrit.
Dy liderët shqiptarë përshëndetën arritjen e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për lëvizje të lirë të qytetarëve me letërnjohtim në të dy anët e kufirit dhe u angazhuan për liberalizim maksimal të kufijve, përfshirë edhe thjeshtësimin e doganës dhe kontrolleve kufitare në vetëm një pikë të vetme kufitare.
Ahmeti dhe Berisha u pajtuan rreth formimit të një këshilli koordinues për shënimin e vitit të shqiptarëve, 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si festë e të gjithë shqiptarëve. Bashkëbiseduesit gjithashtu u angazhuan që bashkarisht të bëjnë përpjekje për jetësimin e Koridorit 8 dhe rrugës së Arbërit bashkë me lidhjen hekurudhore midis dy vendeve.
Ndërsa gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, Berisha e vlerësoi këtë të fundit dhe partinë e tij për kontributin e tyre thelbësor në rrjedhën dhe zhvillimet në Maqedoni.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, u shpreh se: “tashmë është e qartë se nuk është vetëm kënaqësi të takohesh me kryeministrin shqiptar, por mbas këtyre takimeve marr edhe energji për të ecur përpara. “E sigurova kryeministrin Berisha se Partia Demokratike Shqiptare do të japë kontributin e saj në zhbllokimin e proceseve integruese, por edhe se do të vazhdojë të mos lëshojë pe në kërkesat me interes të shqiptarëve. Gjitha këto vizita dhe deklarata që bëhen dhe jepen kanë për qëllim daljen nga kriza e rëndë në të cilën ndodhet vendi”, ka përfunduar Thaçi. / INA