E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, tryezë për rolin e gruas në qeverisje

Roli i gruas në qeverisje ka mbledhur sot në një tryezë të përbashkët krerët e politikës shqiptare. Kryeparlamentarja Topalli, kryesocialisti Rama dhe kreu i LSI-së, Meta, janë bërë pjesë e diskutimit për rolin e gruas në vendimmarrje, tryezë e organizuar nga misioni i OSBE-së në Shqipëri.

Në nisje të tryezës së përbashkët, Topalli dhe Rama janë takuar, madje kanë shkëmbyer edhe batuta, ndërsa Ilir Meta ka shmangur takimin me Ramën.

Në fillim të diskutimeve, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, u shpreh se përfaqësimi i gruas në politikë mbetet i ulët dhe për këtë partitë politike duhet të punojnë më shumë. Gratë vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara në politikë. Partitë duhet të bëjnë më shumë për të pasur përfaqësim më të madh të grave në listat elektorale dhe për të mbështetur aktivitetin politik të tyre. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë përpjekje. Mundësitë për gratë që të jenë pjesëmarrëse aktive është një parametër thelbësor i demokracisë funksionale, tha Volfarth.

Ndërsa kryesocialisti Rama u shpreh se përfshirja e më shumë grave në qeverisje do të thotë më pak korrupsion. Është privilegj të flasësh para kaq shumë grave duke qenë burrë, e duke qenë njëkohësisht kryetar i partisë më të madhe në vend. Jam i bindur se sa më shumë gra të përfshihen në vendimmarrjen e këtij vendi, aq më i pakorruptuar do të ishte ai, tha Rama.

Duke iu referuar fjalës së kryeparlamentares Topalli, e cila i etiketoi burrat si zakonisht më shumë shkatërrues sesa krijues si femrat, Rama u shpreh se propozimi i një kuote horizontale dhe jo vertikale përsa i përket përfaqësimit të grave duhet marrë në konsideratë. Jam dakord me Jozefinën se gruaja është krijuese, por burrin të mos e quajmë shkatërrues por bashkëpunëtor. Se ka burra shkatërrues, kjo është e vërtetë dhe pikërisht për këtë duhet të ketë shumë më tepër gra krijuese edhe në politikë.

Është koha për ta konsideruar këtë propozim dhe me ndihmën e grave të forta në PD-së mund të bëjmë diçka për të influencuar burrat shkatërrues. Jam krenar që PS-ja ka përmirësim të ndjeshëm të raporteve gjinore. Tanimë kongresi ynë ka 30 për qind më shumë gra që zgjidhen në listën e tyre të veçantë. Këtë do ta kemi edhe në kryesi, u shpreh ai.

Një tjetër aspekt në të cilin u përqendrua fjala e Ramës ishte mospërfaqësimi i grave të periferisë, një problem që mbetet aq alarmant sa është edhe papunësia e tyre.

Mbyllja e grave dhe vajzave në shtëpi duhet të jetë një alarm njësoj si papunësia e tyre. Jo thjesht në pikëpamjen financiare, por edhe sociale. Pabarazia gjinore që adresohet si një çështje e politikës në tregun e punës është rrëqethëse. Për të njëjtën punë, gratë paguhen më pak se burrat. Ne nuk mund të kemi një ekonomi të fortë nëse kemi këtë hendek skandaloz mes burrave dhe grave në procesin e jetës shoqërore, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›