Rama: Fullani, kandidatura më e gabuar, vota jonë do jetë kundër
Partia Socialiste e cilëson kandidaturën më të gabuar emrin e Adrian Fullanit për një tjetër mandat në krye të Bankës së Shqipërisë.
Menjëherë pas dekretimit të emrit të Fullanit nga Presidenti Topi, kreu socialist ka reaguar me anë të një deklarate për mediat.
Në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar. Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë. E kështu as Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature, thuhet në deklaratën e Ramës.
* * *
Presidenti Bamir Topi dekretoi sot Ardian Fullani, për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të presidencës thuhet se në mbështetje të nenit 93 dhe 161, paragrafi 2, të Kushtetutës së Shqipërisë, Zoti Ardian Fullani, i propozohet Kuvendit për t`u zgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë.