Maqedoni, Gruevski nuk pranon dorëheqjen e ministrit të Transporteve
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski nuk e pranoi dorëheqjen e ministrit të Transportit dhe Komunikacioneve, Mile Janakieski, të cilën ai e ofroi si akt moral pas aksidentit të anijes ''Ilinden'', që ndodhi të shtunën në Ohër dhe ku humbën jetën 15 persona.''Kryeministri Gruevski ka vendosur të mos e pranojë dorëheqjen duke u udhëhequr nga gjendja reale dhe faktike e cila nuk tregon për përgjegjësi të ministrit'', konfirmuan për MIA-n përfaqësues qeveritarë. Ata shtuan se ky vendim është mbështetur edhe nga mendimet e ekspertëve dhe duke u udhëhequr nga rekomandimi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.