E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu konfirmon refuzimin e Protokollit

Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Kosova nuk është aktore në çështjen e protokollit dhe përsëriti qëndrimin refuzues të institucioneve ndaj këtij problemi. "Kosova do të vazhdojë bashkepunimin e mirë me EULEX-in dhe Bashkësinë Ndërkombëtare", u shpreh Sejdiu. Deklaratën e tij, presidenti e dha pas takimit të parë me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler. Më herët u tha nga autoritetet e në Prishtinë se kundërshtimi i protokollit të EULEX-it dhe Serbisë për Kosovën ka të bëjë me mbrojtjen e interesit nacional. Sipas tyre, protokolli megjithatë nuk është çështje e mbyllur, pasi për të po bisedohej me Bashkimin Europian. Të hënën, Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme ka diskutuar çështjen e protokollit edhe me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe në fund i ka ofruar mbështetje qeverisë dhe presidentit për pozicionin e deritashëm, sipas të cilit asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të nënshkruhet pa institucionet e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se paralajmërimet e zyrtarëve në Bruksel, nëpërmjet mediave, se protokolli me Serbinë do të nënshkruhet së shpejti, ishte një formë e presionit që bëhej mbi Prishtinën zyrtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›