Maroni: Italia mbështet Shqipërinë në liberalizimin e vizave

Italia mbështet Shqipërinë për liberalizimin e vizave, deri në janarin e vitit 2010. Gatishmërinë e saj Italia e rikonfirmoi nëpërmjet Roberto Maronit, Ministrit të saj të Brendshëm, në një takim të zhvilluar me Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian në Lubjanë të Sllovenisë. Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, në një takim me Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian në një deklaratë për shtyp theksoi se Italia është e gatshme të mbështesë dhe monitorojë Shqipërinë deri në liberalizimin e vizave me vendet e BE-së në janar të vitit 2010. Deklarata e lëshuar nga Ministri i Brendshëm italian është bërë në takimin për kontrollin dhe frenimin që mund t'i bëhet emigracionit klandestin nga Libia dhe vendet e tjera të Afrikës. Brenda diskutimit për këtë temë Ministri Maroni nënvizoi se liberalizimi i vizave për vendet e gadishullit Ballkanik do të jetë një zhvillim i ri. Ndër të tjera Ministri Maroni shpjegojë se deri tani Maqedonia është në rregull, Mali i Zi dhe Serbia po i afrohen, por Shqipëria dhe Bosnja kanë edhe disa hapa për të bërë deri në janar të 2010.