Mançester - Milan, çështje “djajsh”

ASA (Albania Sport Agency)- Mancester Junaitid e Milani, një fat i shkruar në historinë e futbollit. Pasi të dyja skuadrat që do të përballen të martën në "Old Traford" (ora 20:45) për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve kanë shumë gjëra të përbashkëta, edhe pse ato mund të jenë të rastësishme. Nga njëra anë "Djajtë e kuq" (Mancesteri), kurse nga ana tjetër "Djajtë kuqezinj" (Milani).
Mancesteri përgatitet për t'u përballur denjësisht me një skuadër tjetër italiane, pasi në cerekfinale masakruan Romën me rezultatin 7-1, që ishte dhe ndeshja e fundit e luajtur nga djemtë e Sër Aleks Fergusonit në Ligën e Kampioneve. Kapiteni i verdhekuqve, Toti, e konsideroi si më të errtën e karrierës së tij humbjen e pabesueshme të skuadrës së tij.
"Të arrijmë sërish në atë nivel është e vështirë, ajo ishte një gjë që ndodh vetëm njëherë. Por do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën paraqitje të madhe. Jemi të motivuar, gjithsesi nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë në gjysmëfinale", - thotë trajneri i Mancester Junaitid, Aleks Ferguson. Kundër Milanit, bosi i Junaitid do të ketë shumë mungesa titullarësh: katër mbrojtës (Gari Neville, Nemanja Vidic, Mikael Silvestre dhe Rio Ferdinand), dy mesfushorë (Ji-Sung Park e Kieran Richardson) dhe një sulmues (Louis Saha).
"Dhelpra e vjetër", Fergusoni pohon: "Është e vwrtetë se kemi disa mungesa, por nga ana tjetër kemi shumë të tjerë të rëndësishëm në dispozicion". "Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do të luajë një Milan i fortë dhe i përqendruar. Mancesteri është një skuadër shumë e fortë, e rrezikshme dhe nuk duhet t'i krijosh hapësira. Inzagi, apo Xhilardinjo? Nuk e di ose më mirë e di, por nuk dua ta them. Ndeshja luhet në 180 minuta dhe do të jetë deciziv takimi i kthimit në "San Siro", - kundërpërgjigjet trajneri i Milanit, Karlo Anceloti. "Ne më të fortë se Mancesteri? Jo, nuk jam i bindur. E ndjek shumë futbollin ndërkombëtar dhe përsa i përket Bajernit isha i bindur në superioritetin tonë, nuk mund të them të njëjtën gjë për anglezët. Mancesteri është një skuadër e rrezikshme në kundërsulm dhe, kur marrin shpejtësi, mund të bëjnë më të vërtetë shumë keq", - shton administratori i Milanit, Adriano Galiani.
Nëse Milani i trembet Kristiano Ronaldos, Ferguson ka jo pak frikë nga Kaka: "Është një talent i madh, lëviz shumë në vijën e sulmit, por ne luajmë në zonë dhe, së dyti, në pozicionin e tij do të qwndrojmë shumë të kujdesshëm". Për sfidën Mancester Junaitid-Milan jep një mendim edhe trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, i cili këshillon Karlo Ancelotin që të vendosë Paolo Maldinin si njeriun qw duhet të markojë Kristiano Ronaldon. Fergusoni reagoi me ironi: "Është bërë trajneri i Milanit tani? Maldini ka qenë gjithmonë një nga lojtarët e mi të preferuar, edhe kundër Bajernit luajti si një mjeshtër, bëri një 90-minutësh me shumë eksperiencë dhe me pak ndërhyrje. Edhe unë dua më shumë eksperiencë te Mancesteri, por kur shikoj Runin dhe Kristiano Ronaldon mendoj se të ardhmen e kemi përpara nesh".
Skuadra e Milanit mbërriti dje në Mancester e pritur nga pak kuriozitet dhe nga një klimë tipike britanike: qiell gri dhe shi i herëpashershëm, madje dhe ndeshja e sotme pritet të zhvillohet nën shi.
Mancester Junaitid
Themeluar: 1878
Liga e kampioneve: 1968, 1999.
Milani
Themeluar: 1899
Liga e kampioneve: 1963, 1969, 1989, 1990, 1994, 2003
LIGA E KAMPIONEVE
GJYSMËFINALET
Sot, 24 prill 2007
Mancester-Milan 20:45
Nesër, 25 prill 2007
Celsi-Liverpul 20:45