Maqedoni, MPB heshtë për përfshirjen e FBI në Smilkovc

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni vazhdon të mos japë asnjë detaj apo pistë bindëse për vrasjen e pesëfishtë të 12 prillit në Smilkovc të Shkupit. Zyrtarët e lartë të kësaj ministrie i janë shmangur dhënies së përgjigjes për përfshirjen e FBI-së në hetimet për vrasjen e pesëfishtë.
Propozimi dhe kërkesa për FBI pasoi nga partia shqiptare RDK, e cila gjithashtu dje apeloi që MPB të deklarohet se përse nuk thirret institucionet e rëndësishme hetimore ndërkombëtare në zbardhjen e hetimit në Smilkovc, ndërsa ka bërë thirrje për ndihmë dhe bashkëveprim edhe për policitë e rajonit.
Makina e gjetur, zbardhja e profilit të vrasëseve, por jo edhe identiteti i tyre, hedhja e versionit se mafia nuk qëndron prapa vrasjes janë disa nga të dhënat e shpalosura nga MPB lidhur me hetimet e deritanishme.
Shtabi i punës i përbërë nga zyrtarët më profesionist të këtij dikasteri vazhdon të qëndrojë në komisariatinin e policisë në Gazi Babë, duke vijuar hetimet mbi vrasjen. Mirëpo rreth dy javë nga kryerja e aktit kriminal nuk janë dhënë detaje më të qarta që mund të nxjerrin një pistë më të sigurt të hetimeve, raporton agjencia INA.
Vrasja e pesëfishtë në Smilkovc vazhdon të jetë një nga temat qendrore edhe në mediat ndërkombëtare, e cila siç komentohet mund të nxisë tensionet ndëretnike, në rast të zvarritjes së hetimeve dhe zbardhjes së plotë të saj. Mediat maqedonase kanë shkruar se gjatë hetimeve është zbardhur ADN e autorëve që kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.