Maqedoni, MPB,kallëzime penale kundër tre personave
Ministria e Punëve të Brendshme penalisht do t'i ndjek Rexhail Qerimi (39) nga fshati Opajë, Agim Islami (25) nga Çairi dhe Ramadan Shaqiri (19) nga Haraçina për sulmin mbi njësinë e Alfave në afërsi të FNM-së, me ç'rast është vrarë një pjesëtar i Alfave, ndërsa dy kolegë të tij janë plagosur. Sipas njoftimit të bërë, Agim Islami nga ]airi, Rexhail Qerimi nga fshati Opajë dhe Ramadan Shaqiri nga Haraçina janë tre personat që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin ndaj policit në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Nga dy persona e parë të dyshuar janë gjetur edhe gjurmë në veturën Golf nga e cila ishte shtënë në drejtim të patrullës policore të njësitit "Alfa". Agim Islami dhe Rexhail Qerimi akuzohen për vepër penale për vrasje, tentim për vrasje dhe shoqërim në aktivitete kriminale, ndërsa Ramadan Shaqiri akuzohet për ndihmë në aktivitetet kriminale. Aksioni policor tashmë po realizohet gati se një muaj. Ministria e Brendshme bëri të ditur se do të vazhdojë aksioni dhe do të priten dëshmitë e të gjithë personave të arrestuar. Sulmi ndaj pjestarëve të njësitit policor Alfa u krye më 26 nëntor, ku humbi jetën njëri prej tyre Afrim Arifi nga Shkupi, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë. Tre të denoncuarit, së bashku me edhe 17 persona tjerë janë arrestuar në aksionin e djeshëm të policisë për shkak të dyshimit "se janë involvuar ose kanë informata për sulmin mbi Alfat"