E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani deklason Udinesen

Skuadra e Milanit e ka shkatërruar Udinesen në San Siro duke e mposhtur me rezultat 5-1. Rossonerët shfaqën një lojë shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë duke arritur të shënojnë plot katër gola. I riu Alexandre Pato e hapi serinë e golave pas një krosimi të Giuseppe Favallit dhe e mposhti me kokë portierin mysafir. Prania e superyllit brazilian Leite Kaka në lojë u vërejt menjëherë në lojën e Milanit. Ishte pikërisht Kaka lojtari që dyfishoi epërsinë (13'). Krejt çka bënë lojtarët e Udineses në këtë ndeshje ishte goli i nderit i shënuar nga Antonio Di Natale në minutën e 17-të. Mirëpo pas vetëm një minute në skenë doli sërish Pato për ta bërë rezultatin 3-1. Pas një gjuajtje të lirë nga Pirlo, i erdhi momenti edhe mesfushorit Clarence Seedorf të shënojë. Holandezi u gjet më së miri para porte dhe topin e kthyer nga shtylla e plasoi në rrjet (43'). Në pjesën e dytë të ndeshjes u shënua vetëm një gol nga Leite Kaka (52'), pasi që kuqezinjtë nuk kishin motivacion të shënojnë ndonjë tjetër gol. Kjo fitore e mban Milanin në pozitën e tretë në tabelë me nëntë pikë prapa Interit që gjendet në vendin e parë dhe tre pikë prapa Juventusit që pozicionohet në vendin e dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›