E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Ministria e Kulturës nënçmon shqiptarët

Përbuzja, nënçmimi e fyerje, janë disa prej fenomeneve me të cilat ballafaqohen çdo ditë administratorët shqiptarë. Nëpunësit shtetërorë me me arsim të lartë detyrohen të kryejnë punë të cilat normalisht duhet t’i bëjnë pastruesit e thjeshtë.

“Na detyrojnë të pastrojmë libra. Së fundmi kemi pastruar bibliotekën universitare të Shkupit. Është turp i madh kjo që po na ndodh. Vetëm neve shqiptarëve na detyrojnë të bëjmë këtë punë, ndërsa maqedonasit i shfrytëzojnë të gjitha benificionet tjera”, deklaroi për gazetën “Lajm“ një nëpunës i kësaj ministrie që për shkaqe sigurie kërkon t’i mbrohet identiteti.

Problemet nuk kanë të sosur. Kontrolli mbi ta është tepër i rreptë, dhe vetëm një kundërshtim sado i vogël i kushton vendin e punës. “Nuk durohet më kështu. Na rrinë mbi kokë sikur të jemi armik të shtetit. Nëse një minutë vonohesh në mëngjes ose në pushimin e mesditës pason dënimi. Ndërkaq, maqedonasit asnjëherë nuk vijnë me kohë në punë dhe dalin sa herë që duan”, thotë një tjetër shqiptar, nëpunës shtetëror në Ministrinë e Kulturës.

Ministrja aktuale e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska ka qenë sekretare shtetërore në këtë ministri, dhe duke ushtruar presion psiqik mbi nëpunësit shqiptarë, sipas të punësuarve, dëshiron të zvogëlojë numrin e tyre.

Ndërkohë, zëdhënësja Anita Jovanovska mohon nëncmimin e shqiptarëve. “Me sa di unë të gjithë e kryejnë punën në mënyrë korrekte. Nuk di që ndonjë nëpunës shtetëror ka pastruar libra. Secili punon atë që e parasheh ligji për nëpunësit shtetëror”, tha Jovanovksa.

Numri i shqiptarëve në postet udhëheqëse në këtë ministri është i barabartë me zero. Asnjëri prej tyre nuk është rritur në detyrë, edhe pse janë të punësuar prej vitesh në këtë institucion.

“Nuk i ndajmë dhe nuk i avancojmë të punësuarit në bazë etnike, por në bazë të përgatitjes profesionale”, tha zëdhënësja Jovanovska.

Gjithashtu, shqiptarët në Ministrinë e Kulturës janë ngarkuar edhe më një detyrë të re. Tani do të shpërndajnë librat e përkthyer të qeverisë, pasi ministria nuk ka asnjë nëpunës shtetëror maqedonas të ngarkuar me këtë detyrë të re.

Historia e nënçmimit të shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës ka filluar që nga ardhja në postin e ministrit të Elizabeta Kançeska Milevska. Ajo që në fillim të marrjes së detyrës, 90 për qind të administratorëve shqiptarë i kishte degraduar duke i dërguar në sektorin për pakica. Në këtë sektor shumica e tyre nuk kanë as kompjutera për punë.

Gjithashtu, Ministria e Kulturës është bartëse e shumë projekteve antishqiptare, siç janë gërmimet arkeologjike në kalanë e Shkupit, projekti i vendosjes së busteve, projekti “Shkupi 2014”, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›