E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Nesër takimi i liderëve për çështjen e emrit

 

SHKUP-Liderët e katër partive kryesore në vend dhe presidenti Branko Cërvenkovski do të diskutojnë nesër për çështjen e emrit.
Takimi zhvillohet para negociatave midis ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimic dhe dy palëve negociuese greke dhe maqedonase, të caktuara rreth mesit të javës së ardhshme ku pritet të prezantohet propozimi final për zgjidhjen e kontestit të emrit.
VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski përmban propozimin e formulës së dyfisht, ku në planin ndërkombëtarë dhe në raport me Greqinë të përdoret një emër i ri do të dal nga kompromisi me palën greke, ndërsa në marrëdhëniet dypalëshe dhe brenda vendit të përdoret emri kushtetues Republika e Maqedonisë.
Lidhja Social Demokrate (LSDM) dje doli me propozim konkret për zgjidhjen e kontestit të emrit, me të cilin siç thuhet nuk rrezikohet identiteti nacional, gjuha dhe kultura maqedonase.
BDI njoftoi se mbështesin emrin aktual kushtetues, por sipas kësaj partie do të mbështesin çdo zgjidhje të re të përbashkët. Edhe PDSH ka bërë të ditur se me rëndësi të veçant për vendin është zgjidhja e problemit, që të mos bllokohen proceset evrointegruese të Maqedonisë.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski deklaroi se nuk do të ketë pritje të mëdha nga takimi i së hënës mes liderëve të partive kryesore, presidentit dhe kryeministrit.

(d.b/INA/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›