E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, OSBE siguron qetësi në zgjedhje

Shefi i misionit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Maqedoni, Piter Ajher ka deklaruar se nuk duhet të ketë elemente dhune në zgjedhje demokratike. "Presim që procesi zgjedhor të kalojë në një atmosferë të qetë, të ndershme dhe demokratike, pa frikë e dhunë", ka theksuar shefi i OSBE-ODIHR-it, Ajher në konferencën e parë për shtyp. Ajher ka kërkuar angazhim të përgjithshëm nga institucionet shtetërore, KSHZ-ja dhe partitë politike për kontribut të jashtëzakonshëm për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike. Në Maqedoni kanë nisur të mbërrijnë vëzhguesit e parë të misionit vëzhgues të OSBE -ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore dhe presidenciale të 22 marsit. "Dhjetëra ekspertë dhe analistë politikë, zëvendësshefi i misionit dhe stafi tjetër pritet të mbërrijë në Maqedoni. Më pas, pritet të radhiten edhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të shpërndahen në rajone të caktuara, ndërsa 300 vëzhguesit afatshkurtër do të mbërrijnë në Maqedoni, disa ditë para zgjedhjeve", ka theksuar zëdhënësi i misionit të OSBE-ODIHR-it, Jens Eshenbaher. Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it do të fillojë misionin e vëzhgimit të aktiviteteve të partive dhe mediave përpara fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore më 2 mars. Vëzhguesit afatmesëm, sikurse në zgjedhjet e kaluara, do të shpërndahen në tërë territorin e Maqedonisë, në zyrat në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Ohër dhe Prilep. Gjithashtu këtë vit është rritur numri i vëzhguesve ndërkombëtarë në krahasim me vitin e kaluar ku kishte rreth 271 vëzhgues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›