E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, a do të ketë pazare votash?

Ndoshta nuk është pa një dozë logjike që në periudhën mes dy raundeve zgjedhore, pra në rastin kur raundi i parë nuk ka arritur të përcaktojë një fitues të vetëm, duke nxjerrë në balotazh dy kandidatë, sikurse ndodhi në rastin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, vëmendja nuk është e përqendruar te dy kandidatët që do të vazhdojnë garën, por pikërisht tek ata që nuk do të vazhdojnë më tej. Kështu, tani atyre u është rritur, sikurse thuhet rëndom, piaca. Pra, atyre u është rritur çmimi dhe janë bërë të rëndësishëm në sytë e opinionit publik. Arsyeja është e thjeshtë. Sepse, pikërisht nga ata në një shkallë të konsiderueshme varet se kujt prej dy kandidatëve të mbetur në garë duhet t‘ua japin votat simpatizantët e atyre që nuk janë më në garë.

Dhe, në rastin e Maqedonisë, sikurse qëndrojnë punët sot, është më se e qartë se pa votat e tyre askush nga dy kandidatët e mbetur në garë, as Gjorgje Ivanov i VMRO-DPMNE-së dhe as Ljubomir Frçkovski i LSDM-së, nuk do të mundë të hyjnë në kabinetin presidencial këtë 5 prill, kur është parashikuar të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në këtë vend fqinj me ne. Ndërkohë, ka dyshime nëse do të arrihet që në këtë raund të dytë zgjedhor të dalin dhe të marrin pjesë në votime të paktën 40 për qind e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve (720 mijë), sa e përcakton edhe Kodi Elektoral.

Situata në këtë drejtim është shqetësuese, pasi qoftë në bashkësinë ndërkombëtare, qoftë në qarqet politike të brendshme, ekziston frika, jo pa bazë, se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend nuk do të arrihet kuorumi i lartpërmendur, i kërkuar që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme dhe, kështu ato do të mund të dështojnë, e kjo do të rrezikonte në një shkallë të lartë aspiratat eurointegruese të Maqedonisë, për të cilën zgjedhjet presidenciale dhe lokale të tanishme janë një test i fortë, kapërcimin e të cilit e kërkon medoemos bashkësia ndërkombëtare, sidomos Brukseli.

Sidoqoftë, partitë politikë, sidomos ato që kanë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kandidatët e tyre, hiqen, të paktën, në pamje të jashtme, si të qeta dhe të sigurta se favoriti i tyre do të fitojë në këtë raund (të dytin), por ndërkohë kanë vënë në lëvizje të gjithë makinerinë e tyre politike, duke zhvilluar bisedime të fshehta me partitë, kandidatët presidencialë të të cilave nuk arritën ta kalonin raundin e parë. Sipas të gjitha gjasave, duket se partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kandidati i së cilës, Agron Buxhaku, në raundin e parë grumbulloi pak më shumë se 73000 vota, do t‘u kërkojë zgjedhësve të vet që të votojnë në favor të kandidatit të partneres së saj në koalicionin qeveritar, VMRO-DPMNE-së (Ivanov), gjë që do të synojë të tregojë se koalicioni qeveritar midis dy partive, maqedono-sllave dhe shqiptare, dikur armike të përbetuara të njëra-tjetrës, funksionon. Megjithatë, zëdhënësi i partisë kryesore në koalicionin qeveritar, VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Biçikliski, nuk iu përgjigj ditët e fundit drejtpërdrejt pyetjes së një gazetari, nëse pritej që gjatë javës në vazhdim të takoheshin kryetarët e dy partive të koalicionit, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, për çështjen e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 prill, më konkretisht për bashkëpunimin përkatës. Ai u mjaftua të thoshte vetëm: "Do ta dëgjoni përgjigjen shumë shpejt", ashtu sikurse tha edhe vetë Gruevski, po këto ditë, në një kanal tv vendës.

Në kabinetin e Presidentit të deritanishëm të vendit, Branko Crvenkovski, kryetarit të ardhshëm të përcaktuar tashmë të LSDM-së, kanë qenë këto ditë njëri pas tjetrit kandidati i pavarur presidencial Lubo Boshkovski, që nuk e kaloi raundin e parë, dhe kandidati i LSDM-së, Ljubomir Frçkovski, një nga dy konkurrentët e mbetur në garë. Por, as njëri dhe as tjetri nuk thanë ndonjë gjë të veçantë për përmbajtjen e bisedimeve të zhvilluara. Zyrtarisht, në publik Boshkovski ka thënë se me votat që ai mori në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, nuk do të bëhet pazar. Megjithatë, VMRO-DPMNE-ja shpreson në fshehtësi se votat (afro 146 mijë) që ai (Boshkovski) mori në raundin e parë, do të shkojnë në raundin e dytë te kandidati i tyre (Ivanov), pasi ata që votuan në favor të tij në raundin e parë, janë në përgjithësi simpatizantë të VMRO-DPMNE-së.

Po ashtu, në këtë të fundit mbajnë shpresa se edhe një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan në raundin e parë në favor të kryetarit të partisë shqiptare "Demokracia e Re", të krijuar pak kohë para zgjedhjeve presidenciale, Imer Selmani, duke pasur parasysh se ajo është një parti e spektrit të djathtë, ashtu sikurse edhe VMRO-DMNE-ja, do të votojnë në favor të kësaj të fundit. Megjithatë, Imer Selmani, fitues absolut, me rreth 150000 vota të mbledhura në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ka vënë në dukje se ai nuk do të bëjë pazare me votat e fituara prej tij në raundin e parë. Ai ka vendosur, të paktën kështu ka bërë të ditur publikisht, se votat e fituara nga ai do të mbesin në konton e "Demokracisë së Re". Ditët e fundit, edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja kanë bërë të ditur jozyrtarisht se do të kishin dëshirë që votat e fituara nga Selmani të shkonin në raundin e dytë në favor të kandidatëve të tyre, por ai (Selmani) ka vënë në dukje se vendimi i tij është përfundimtar dhe se ai, në asnjë moment nuk ka pasur ndërmend të bëjë pazare me të drejtën demokratike të votuesve. "Ata qytetarë që më 22 mars 2009 u përcaktuan për ofertën time, morën një vendim të drejtë. Mua nuk më mbështetën vetëm shqiptarët etnikë. Nga 150 mijë vota që unë mblodha në raundin e parë, rreth 38 mijë ishin maqedonas, kurse më shumë se 10 mijë i mora nga qytetarët e bashkësive etnike të tjera. Zgjedhësit që ma dhanë mua votën, sollën një pranverë demokratike të vërtetë në Maqedoni. Jam i bindur se edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve qytetarët përsëri do të marrin një vendim të drejtë, kur të shprehen për njërin nga dy kandidatët e mbetur në garë. I qëndroj besnik premtimit tim paraelektoral se nuk do të bëj tregti me votat e zgjedhësve në raundin e dytë. Kjo është fitorja ime", tha Selmani.

Analistë të ndryshëm vendas e komentojnë këtë vendim të Selmanit, nga njëra anë, si një të tillë që synon konsolidimin e pozitës së partisë së tij në sistemin politik maqedonas dhe, nga ana tjetër, si një përpjekje të tij për përgënjeshtrim të të gjitha spekulimeve të përhapura në opinionin publik të vendit, se DR-ja (Demokracia e Re) është produkt i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe se ajo (DR-ja) mbas zgjedhjeve do të bëhet pjesë e pushtetit.

Sidoqoftë, sado që përpiqen t‘i kamuflojnë dhe t‘i fshehin, të gjitha taktikat shumë shpejt do të dalin në sipërfaqe dhe se cila nga këta taktika do të jetë më e suksesshme, do të shihet më 5 prill të këtij viti, kur të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›