E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët e 1 Qershorit

Në kohën kur kam qenë nxënës, datë tepër e rëndësishme për mua ishte 1 Qershori, data e mbylljes së shkollës, që pritej me ankth në të gjithë institucionin jo vetëm nga nxënësit, por dhe nga mësuesit dhe drejtuesit administrativë të shkollës. Kur afrohej kjo ditë, të gjithë bëheshin më të mirë, a thua se nuk kishte ndodhur më parë. Pavarësisht se përsëritej e përsëritej deri në mërzi, gjithmonë të dukej si hera e parë që fillonin pushimet, e kësisoj planet ishin të mëdha; mendoje për të gjithë gjërat që do bëje gjatë asaj periudhe të çmuar verore. Ashtu si unë, jam i sigurt që mendonin edhe mësuesit, drejtorët dhe të gjithë nxënësit e tjerë. Përjetohej si një fillim i ri, një plan ambicioz, një atmosferë e ndezur, që pak kishte të bënte me realitetin. Por ato tre muaj kalonin shumë shpejt e me një pahir të pakundërshtueshëm vinte sërish 1 Shtatori, i cili datonte fillimin e rutinës, problemeve dhe ankthit pse gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhej. Ndjenja e pafuqisë të mbyste, mësuesit bëheshin më moskokëçarës dhe drejtuesit më arrogantë.

Para 3 korrikut të vitit 2005 situata ishte pak a shumë e tillë; njerëz të rinj, me fytyra të reja, të veshur me kostume të shtrenjtë, flisnin për verën që nuk do të mbaronte kurrë, për zhdukjen një herë e mirë të "së keqes më të madhe" (e cila më pas doli që ishte "e keqja më e vogël"). Kleptokrati, bajlozi i kohërave moderne, do të merrte arratinë, e të gjithë do të ishim më të lumtur, mjaftonte… Kështu na thanë ata, çunat e rinj, që të prisnim 3 korrikun. Vetëm kaq, asgjë më shumë, vetëm një datë do të na ndryshonte fatin si nata me ditën.

Ne u bindëm. Pritëm. 3 korriku ishte një triumf, dhe kleptokrati, ashtu si qe premtuar, mori arratinë, por më pas…? Më pas, dhunë dhe arrogancë, kësaj here nga pushtetarë të rinj, të cilët nuk kishin premtuar asgjë, e për pasojë nuk kishin asnjë detyrim. Ata na thanë që do të hiqnin kleptokratin, por kurrë s‘na kishin premtuar që nuk do të ktheheshin në kleptokratë edhe vetë ata. Nuk treguan asnjë plan, asnjë strategji politike, madje me ardhjen e tyre gjërat u bënë më të zymta, korrupsioni arriti standarde kanibaleske, 26 njerëzve iu mor jeta në emër të "ndryshimit"... Ndryshim për ku? Si? Dhe më e rëndësishmja, në ç‘mënyrë?

Në katër vjet qeverisjeje "të djathtë" pësojmë vetëm data; data e Samitit për NATO-n, data e pranimit në NATO, data e nënshkrimit të MSA, data e martesës së Aldo Bumçit, data e nisjes së aplikimit për në BE, data që na vendos Olli Rehn për nisjen e aplikimit në BE, data... data e pafund data. Ndërkohë, popullit nuk i kërkohet asgjë, nuk i kërkohet të kërkojë, sepse sapo bëhet gati të kërkojë, menjëherë i valëvitet ndonjë datë para syve, e cila e hipnotizon, e dembelos, e lëshon në kolltukun e shtëpisë. Politikës shqiptare i intereson që qytetari të budallallepset, të mos shqetësohet, të mos interesohet, se në u interesoftë na duhet më pas t‘i kthejmë përgjigje për problemet që ka, kështu që më mirë e mban me data, me afate, për të cilat as di, as duhet të dijë si u vendosën e nga kush u vendosën.

Por më në fund, në krahun "e majtë" erdhi një njeri tjetër, prapë i ri, por i ndryshëm nga ata të tjerët (të paktën kështu e shpalli veten), i cili foli për hallet e arsimit, për problemet e bujqësisë, për zhdukjen e korrupsionit që tashmë po e mbyt vendin. Madje, ky lider i ri e deklaroi veten shpëtimtar të të gjithë popullit, duke u zhvendosur nga pozicionet klasike të së majtës e së djathtës. Kalojmë përtej, na tha, as me romakët e as me çifutët. Lideri i përtejshëm e shkeli me këmbët e tij të gjithë territorin shqiptar, foli me të gjithë ata që i nxorën përpara pjesëtarët e partisë, u mërzit në Gërdec, u frymëzua në Tropojë, u shqetësua në Korçë dhe u entuziazmua në Shkodër. Por më në fund, lideri u kthye në Tiranë, dhe bash nga foltorja e vjetër e partisë së tij të re, foli dhe tha: "Prisni datën 28 qershor, nëse prisni me durim, aty në atë datë do të mbarojnë vuajtjet tuaja".

Një "ahhh" e fortë doli nga mushkëritë e të gjithë atyre që po e ndiqnin nga pranë apo nga televizori. Menduan se ai do fliste për politika konkrete, për arsimin, bujqësinë, shëndetësinë, infrastrukturën, krizën ekonomike, papunësinë, varfërinë etj. Por ai tha se këto janë të parëndësishme, e rëndësishme është që të ikë "e keqja e re e madhe", e më pas do zgjidhen, si me një shkop magjik, të gjitha problemet e shqiptarëve.

Po ne çfarë bëmë? Ne u shtriqëm me ëndje, dikush në një kolltuk të rehatshëm e dikush në një copë kartoni që e përdor si shtëpi, e me mendje thamë: Dhëntë Zoti, të vijë sa më shpejt kjo datë e re e bekuar e të na i heqë këto vuajtje si me dorë. Fjetëm të qetë se askush nuk na kërkoi të bënim diçka, thjesht të prisnim datën.

Në këto dy dekada demokraci, shqiptarët kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme në vajosjen e motorit të këtij sistemi që me kaq dashuri e përqafuam në fillim të viteve ‘90. Por përditë e më shumë jetojmë në një sistem që vetëm juridikisht konsiderohet demokraci, se faktikisht nuk është. Zhvendosja e debatit prej një argumentimi mbi taksat apo politikat e tjera konkrete, drejt një terreni që ngjason më shumë me spektaklet televizive, është bërë i qëllimshëm gjatë gjithë këtyre viteve, në mënyrë që të ruhet stabilimenti i politikanëve mediokër. Një popull që e pëson mesatarisht çdo dy vjet nga një fushatë ku flitet për gjithçka, përveçse për zgjidhje hallesh politike, e ka ulur diskursin politik në dy "alternativa" që nuk janë aspak të tilla. Të votojmë Ramën se është "çun trendy", apo të votojmë Berishën se është "burrë i vërtetë"?

Vetë liderët nuk duan t‘u flasin shqiptarëve në terma konkretë se si do zhvillohet politika fiskale, në asnjë vend e në asnjë mënyrë, sepse kjo do të sillte më pas një revoltë të vërtetë, pasi do të duhej të flisnin për mënyrën se si me ligj diskriminojnë ata që paguhen më pak në favor të pasanikëve të rinj. Aq më pak të diskutojnë për formën e dhënies së koncesioneve, se do t‘u duhej të shpjegonin se si gradualisht po shesin çdo cm të Shqipërisë me ndërmjetësimin e biznes-politikës së dyshimtë. Prandaj nuk diskutohet nga politikanët se si dëmtohet qëllimisht investimi në pronën e përbashkët. Ky lloj diskutimi, sigurisht që do të dëmtonte deputetët, të cilët janë ndërmjetës të këtyre shitjeve.

Nuk është rastësi që sot gjysma e përfaqësuesve të popullit janë biznesmenë, që u numërohet pasuria me miliona dollarë. E janë deputetë të zonave më të varfra të Shqipërisë? Cila demokraci funksionale përfaqësuese e sjell këtë? Kush është ai që në demokracinë përfaqësuese ia dhënka votën atij që ka e jo atij që di? Kush do ta gëzonte hyrjen në NATO, kur nga një fabrikë demontimi armësh, bekuar nga politika e të gjitha niveleve e krahëve, u vranë 26 njerëz dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë? Kush do të ishte ai politikan që do të bënte spektakël në kurriz të dhimbjes, ndërkohë që në një vit nuk ka ngritur qoftë dhe një komision parlamentar për të hetuar çështjen e Gërdecit? Vetëm ata politikanë, që tashmë e kanë krijuar establishmentin e tyre politiko-mediatik dhe përgjumjen e popullit nëpërmjet datave, e shohin si hipnozën më të mirë për të ruajtur këtë lloj status quo-je vrastare. Një popull që demokracinë e luan si bingo me numrat që tjetër kush ia rrotullon, jeton në çdo sistem të mundshëm, veç jo demokratik apo përfaqësues. Dembelizmi ynë paguhet me jetë njerëzish, të dashur bashkëqytetarë. Militantizmi ynë i verbër po e shkatërron të ardhmen. E meqë po flasim për të ardhmen, a di ndokush prej jush të na thotë se si Berisha, Rama apo Meta do e zgjidhë çështjen e bujqësisë, arsimit, papunësisë? Gjumë të ëmbël deri më 28 qershor!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›