E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, buxheti rrezikon institucionet e pavarura

Nga plani qeveritar për shkurtimin dhe kursimin e buxhetit të shtetit e kanë pësuar institucione të tilla si Komisioni Antikorrupsion, Avokati i Popullit dhe Prokuroria Publike. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë apeluar tek përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, duke kërkuar të ndërhyjnë në këtë situatë. Sipas tyre, me shkurtimin e buxhetit do të bllokohet dhe ulet intensiteti i punës. Mirjana Najçevska, ish-kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, vlerëson se shkurtimi i buxhetit për këto institucione është një presion për pengimin e aktivitetit të tyre dhe veprimit të pavarur.

Kurse Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, i ka bërë thirrje Qeverisë të sigurojë mjetet e nevojshme për institucionin që drejton ai dhe institucionet e tjera. “Me këto veprime Qeveria e vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve. Nuk besoj se do të kalojmë problemet financiare deri në fund të vitit, sepse kemi problem me buxhetin”, theksoi Mehmeti.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se shkurtimet e buxhetit janë bërë në bazë të nevojave dhe nuk vënë në rrezik funksionimin e atyre institucioneve. Në një komunikatë të këtij dikasteri theksohet se janë të hapur për të diskutuar të gjitha propozimet dhe ankesat e institucioneve që janë goditur me buxhetin e vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›