Maqedoni konfirmohet kanditatura e Selmanit

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni ka konfirmuar kandidaturën e kryetarit të Partisë shqiptare Demokracia së Re, Imer Selmani për president të shtetit. Vendimin për konfirmimin e kandidaturës së Imer Semanit, KSHZ-ja e kishte shtyrë për shkak se simboli i kandidaturës ishte dërguar vetëm në version elektronik. Pas dërgimit të simbolit edhe në formë të shtypur, Komisioni vërtetoi se i gjithë dokumentacioni është kompletuar. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni Aleksandër Novakovski, tha se për kandidaturën e Imer Selmanit kanë firmosur 16 mijë e 88 zgjedhës. Përveç Selmanit, KSHZ-ja ka konfirmuar edhe kandidaturat e Agron Buxhakut nga BDI-ja, Mirushe Hoxhës nga PDSH-ja, Lubomir Fërçkovskit nga LSDM-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja, dhe të kandidatit të pavarur Lube Boshkovski. Ndërkohë që mbetet për t'u konfirmuar vetëm kandidatura për president e Gjorgje Ivanovit nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet, për të cilën KSHZ-ja ka një afat prej 48 orësh. VMRO -DPMNE ka dorëzuar pranë KSHZ-së firmat e 62 deputetëve dhe të 23 mijë e 160 qytetarëve. Zyrtarë të partisë VMRO - DPMNE janë shprehur se shpresojnë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike dhe presin që qytetarët të zgjedhin më të mirin.