E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, mbyllen qendrat e votimit

SHKUP- Në Maqedoni zyrtarisht ka përfunduar procesi elektoral për zgjedhjet e sivjetme vendore.

Në orën 19 janë mbyllur të gjitha vendvotimet ku po zhvillohej raundi i dytë zgjedhor edhe atë në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit. Jehona e votuesve në këtë rreth zgjedhor ishte më e ulët se në të parin që u mbajt dy javë më parë dhe sillej në rreth 46 për qind deri në orën 17.

Dalja në votime veçanërisht e vogël ishte në komunat me popullatë kryesisht shqiptare, përveç në Strugë ku deri dy orë para përfundimit të zgjedhjeve votuan mbi 60 për qind të banorëve me të drejtë vote. Dita zgjedhore po kalon në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike. Ky ishte vlerësimi i parë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë rreth zhvillimit të procesit të sotëm zgjedhor. Zëdhënësi i saj Ivo Kotevski tha se deri në orën 14 nuk ishte regjistruar asnjë incident më serioz, as deri te Ministria e Brendshme nuk kishin arritur denoncime për çfarëdo shkelje më të madhe të procesit zgjedhor.

Por në Strumicë megjithatë u regjistruan dy incidente që nuk janë aspak për t’u anashkaluar. Në këtë komunë në orët e paradites është thyer një kuti votimi që çoi në arrestimin e një qytetari, ndërsa edhe ishin regjistruar të shtëna me armë nga një makinë në lëvizje. Ndërkohë mediat maqedonase duke iu referuar alarmimeve të shtabit zgjedhor të një partie opozitare maqedonase informuan se votues nga Pusteci i Shqipërisë në dy orët e fundit të procesit zgjedhor në mënyrë masive kanë votuar në Komunën Qendër të Shkupit. Në disa lagje, votuesit nga Prespa e Vogël, janë të shoqëruar edhe nga pjesëtarë të njësitit policor “Alfat”, alarmoi partia opozitare. Vëzhguesit vendor gjatë ditës kanë raportuar për një varg parregullsish. Asociacioni qytetar MOST informoi për parregullsish në Veles, Kocan, Gostivar, Strugë dhe Tetovë ndërsa si shkelje më e shpeshtë paraqitet të jetë votimi familjar. Edhe organizata tjetër Civil ka informuar për parregullsi të caktuara që po e shoqërojnë raundin e dytë zgjedhor në Maqedoni. Sipas kësaj organizuare situatë e tensionuar gjatë ditës ka mbretëruar në Koçan me shumë polici posaçërisht pas arrestimeve të mbrëmshme të anëtarëve të një partie politike; në Tetovë ku disa aktivistë të një partie politike para një shkolle kanë ofruara para për vota; në Resnjë janë vërejtur vetura me targa të Shqipërisë për të cilat supozohet se bartin votues; në komunat e Gjorce Petrovit, Aerodromit dhe në Tetovë, është vërejtur shkelje e heshtjes zgjedhore me shpërndarjen e afisheve në interes të një partie politike, gjegjësisht kandidati, ndërsa në Çair të Shkupit, aktivistë partiak në vendvotime kishin lista për evidentimin e votuesve.

Sot edhe vet shefi i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-së në Maqedoni, Gert Arens ka vizituar disa qendra votimi. Ai ka thënë se në raundin e dytë zgjedhor kjo organizatë nuk ka angazhuar vëzhgues afatshkurtër në Maqedoni, por vetëm ekip të mbikëqyrësve afatgjatë të cilët ndodhen në mbarë vendin. Sipas tij misioni ka marrë shumë pohime se disa punë nuk do të jenë në rregull dhe prandaj po shihnin nëse zgjedhjet po zhvillohen sipas standardeve të OSBE/ODIHR.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›