E Diel, 1 Nëntor 2026

E dielë normale në Prishtinë, por konsulta intensive në Beograd

PRISHTINË- Në prag të 9 prillit, kur përfaqësuesja e lartë e BE-së, Baronesha Catherine Ashton do të njoftohet përfundimisht për vendimet e palëve pas 8-të raundeve të dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në Prishtinë sot nuk kishte ndonjë zhvillim të ri, ndërsa në Beograd ishte një ditë konsultimesh intensive të krerëve institucionalë e politikë. 

“Informova përfaqësuesit e partive mbi takimet e mia në Bruksel. Jam i bindur se të gjithë do të tregojnë besimin e mirë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj cështje tepër të vështirë, me të cilën po përballemi jo vetëm sot, por vendimi që do të merret do i përkasë dekadave në vazhdim.
Unë do vazhdoj negociatat me partitë në vend. Nuk duhet të hedhim gjithçka që kemi bërë më parë. Duhet të punojmë për integrimin, edhe nëse nuk e marrim një datë mbi nisjen e negociatave për në BE, ne sërish duhet të punojmë që ta zgjidhim këtë cështje”, tha Dacic pas takimeve që kreu sot në Beograd.

Ditën e nesërme në Beograd është paralajmëruar edhe një mbledhje e qeverisë së Serbisë dhe vendimi përfundimtar nëse do të pranohet apo refuzohet oferta e Brukselit. "Qëndrimet e kreut shtetëror do kumtohen nesër", paralajmëroi sot edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç, pas një takimi me udhëheqjen e Republikës së Serbisë, sipas njoftimeve të fundit të medias në Beograd.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet e nivelit të lartë, pas kthimit nga Brukseli, ka bërë të ditur se delegacioni i Prishtinës ka qenë i gatshëm për marrëveshjen që nga 4 marsi, kur ishte mbajtur raundi i gjashtë.

Në mbledhjen e qeverisë, të premten, kryeministri kosovar tha se, ne kemi qenë kreativë aq sa na kanë lejuar Kushtetuta dhe ligjet tona, por në të njëjtën kohë është me rëndësi që interesi qytetar i të gjithëve pa dallim etnik, interesi për të ardhmen evropiane të vendeve tona, interesi për ngadhënjimin e vlerave euroatlantike, të dominojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, në mënyrë që të mos mbesim peng në vendimmarrje të politikave ditore, të politikave elektorale, por vendimmarrja të jetë në interesin e vendeve dhe brezave të ardhshëm dhe në asnjë rrethanë të mos mbesim viktimë e së kaluarës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë mbështetje të plotë qëndrimit të kryeministrit Thaçi për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dy vende të pavarura dhe sovrane. Në një takim këtë javë ajo theksoi se dialogu ndikon në vendosjen e marrëdhënieve normale ndërmjet dy shteteve, që duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke ndërtuar raporte të mira fqinjësore.

Në raundin e tetë të dialogut në nivel të lartë Prishtinë-Beograd, nuk mjaftuan as 12 orë bisedime për të kaluar "hedekun e thellë" në qëndrimet shumë të ndryshme për veriun dhe asociacionin-bashkësinë e komunave me shumicë serbe, për të cilin delegacioni serb i udhëhequr nga kryeministri Ivica Daçiç kërkoi pushtet ekzekutiv, ndërsa delegacioni kosovar i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi nuk pranoi këtë dhe asnjë "zgjidhje" në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndër informacionet e medias kosovare sot është ai se komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, ka hedhur poshtë "lajmet" e mediave serbe se gjoja FSK po përgatitet për të ndërhyrë në veri, duke thënë se janë gënjeshtra të kulluara. Gjenerali ka sqaruar se roli i FSK-së nuk përputhet me atë çfarë është spekuluar.

Në takimin e fundit në nivel kryeministrash, Kosova dhe Serbia nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Autoritetet serbe kanë thënë se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e takimit, nuk ka ofruar kompetenca për ascoacionin e komunave serbe në fushën e gjyqësorit dhe policisë si dhe nuk ka parashikuar mospraninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit.

Serbisë i kushtëzohet data e negociatave për anëtarësim në BE nese nuk firmosin marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën.

Dy vendet duhet të deklarohen deri të martën nëse pranojnë ose jo marrëveshjen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›