E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, ndërpritet regjistrimi

 Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit në Maqedoni (KSHR) kanë dhënë mbrëmë dorëheqje, pas problemeve të procesit të regjistrimit në terren si dhe rreth interpretimeve të ndryshme të ligjit për regjistrimin. 

Nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani, njoftoi për agjencinë e lajmeve INA dorëheqjet e të gjithë anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë të KSHR-së mëngjesin e sotëm.

Sipas tij, kjo situatë e krijuar çon drejt anulimit të këtij procesi, por gjithçka siç tha ai do të vendoset gjatë ditëve të sotme për masat e reja.

Ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme lidhur me problemet organizative në terren si dhe rreth mënyrës së interpretimit të Ligjit për regjistrim në terren nga ana e regjistruesve dhe këto çështje dihen sepse ishin shpalosur edhe në media, deklaroi për INA, nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani.

Përplasjet e vazhdueshme midis anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë rreth interpretimit të ligjit për të regjistruar qytetarët që jetojnë jashtë vendit ka qenë një nga arsyet kryesore që çoi në dështimin e këtij procesi.

Vendimi i KSHR pritet që sot të jetë temë kryesore në seancën qeveritare dhe mundësinë e vënies në rend dite edhe nga Parlamenti, ku do të vendoset lidhur me hapat e mëtejmë rreth operacionit të regjistrimit të popullsisë, që duhej të përfundonte më datë 15 tetor. / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›