E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Thaçi nuk largohet nga drejtimi i PDSH-së

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka bërë të ditur se nuk largohet nga posti i kryetarit të partisë, pasi një vendim i tillë nuk do të ishte në të mirë të partisë së tij dhe shqiptarëve në Maqedoni.

Thaçi ka shtuar gjithashtu se mban përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

""Me të vërtetë unë mbaj përgjegjësi. Shqiptarët nuk më dhanë mandatin për të qeverisur, por më dhanë mandat, tjetër, dhe është e qartë me këtë se unë jam lideri i padiskutueshëm i opozitës tek shqiptarët. Mund ta bëja edhe hapin e fundit për tu tërhequr, pasi humbëm zgjedhjet, por analizova se kjo do të vlerësohej si një dezertim", deklaroi Thaçi.

Sipas tij, ata që tentuan ta eliminojnë dhe të konkurrojnë si opozitar, pësuan humbje katastrofale. "Prandaj mendoj se nuk është në të mirë të partisë, të shqiptarëve, por edhe as të Maqedonisë, që unë të tërhiqem nga skena politike", deklaroi kreu i PDSH-së.

Thaçi gëzon mbështetje edhe në radhët e partisë së tij për të mos braktisur kreun e partisë, ndërsa deri tani asnjë kandidaturë nuk shihet si figurë që mund të drejtoj këtë subjekt politik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›