Maqedoni, në rundin e dytë priten koalicione të pazakonta

Partitë politike në Maqedoni nuk kanë zbuluar ende se si dhe me kë do të bashkëpunojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve, ndërsa analistët politikë kanë vlerësuar se do ketë koalicione të çuditshme. Analistët mendojnë se janë Gostivari dhe Tetova komuna ku do të krijohen aleanca “të pazakonta”.
“Për RDK-në, do të ishte dështim nëse Rufi Osmani i humb zgjedhjet në Gostivar. Ata me çdo kusht do të mundohen ta ruajnë këtë diferencë që e kanë kundrejt kandidatit Nevzat Bejta. Në anën tjetër, në Tetovë kemi një diferencë të thellë të Teuta Arifit. PDSH-ja do të kërkojë që të kthehet, por mendoj se nuk do të mundet për shkak se tregoi që nuk ka forcë që vetë t’i fitojë zgjedhjet në Tetovë. Nëse mendojnë se do të fitojnë me votat e maqedonasve apo të Izet Zeqirit mendoj se kjo nuk është e arritshme. Në Tetovë do të fitojë Teuta Arifi si rezultat i dështimeve permanente të pushtetit lokal”, ka deklaruar për “Zhurnal plus” analisti politik Arsim Sinani.
Analisti Petar Arsovski nuk e përjashton mundësinë e koalicioneve të llojeve nga më të çuditshmet. “Në rrethin e dytë zgjedhor mendoj se secili mund të bëjë koalicion me secilin dhe kjo nuk duhet të na befasojë. Duke parë atë që ndodhi në fushatën zgjedhore gjithçka është e mundshme edhe në rrethin e dytë zgjedhor. Kështu që mund të ketë koalicione ku secili do të bashkëpunojë me secilin për të arritur deri tek fitorja në komunën e caktuar. Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme dhe do të ndodhë edhe në këto zgjedhje lokale”, ka deklaruar analisti Arsovski./Indeksonline/