E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, opozita bojkoton zgjedhjet vendore, s’u pranuan kërkesat e saj

18-02-2013 / Gazeta 55

Opozita shqiptare, PDSH: Zgjedhjet vendore janë referendum popullor, do të mposhtet BDI-ja

Pushteti dhe opozita në Maqedoni nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për tejkalim të krizës politike. Edhe pse të dielën ka skaduar afati i fundit, partitë opozitare nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal. Me këtë, opozita maqedonase i ka mbetur besnike paralajmërimit se do të bojkotojë zgjedhjet vendore në rast se ato nuk mbahen paralelisht me zgjedhjet parlamentare. Këtij vendimi nuk i është përmbajtur vetëm një kryetar komune, mirëpo ai me procedurë urgjente është përjashtuar nga radhët partiake. Edhe pse ky hap i opozitës pritet të thellojë më tepër krizën, Qeveria garanton se zgjedhjet vendore do të jenë korrekte dhe demokratike.
“Qeveria garanton se zgjedhjet që do të mbahen në 24 mars do të organizohen në pajtim me të gjitha standardet ndërkombëtare, përkatësisht do të sigurohen kushte që ato të jenë korrekte, të lira dhe demokratike. Zgjedhjet vendore do të mbahen në 24 mars në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet. Të gjitha normat ligjore e kushtetuese, të cilat e rregullojnë këtë materie vecmë janë miratuar dhe ato nuk mund të ndryshohen. Të gjitha subjektet të cilat deri në mesnatë kanë aplikuar me kandidatët e tyre e kanë shfrytëzuar mundësinë dhe të drejtën e cila në njëfarë forme është edhe detyrim”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgiev.
Për dallim prej opozitës maqedonase, opozita shqiptare do të marrë pjesë në zgjedhje.
Partia Demokratike Shqiptare, si parti më e madhe opozitare shqiptare ka mbajtur edhe Konventën zgjedhore në të cilën ka prezantuar kandidatët për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë komunal. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi ka thënë se këto zgjedhje njëkohësisht paraqesin edhe referendum për shqiptarët e Maqedonisë.
Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Demokracia e Re kanë zyrtarizuar marrëveshjen për koalicionim në zgjedhjet e 24 marsit, që do të jetë edhe koalicioni i vetëm në bllokun politik shqiptar. Në një kumtesë të përbashkët BDI dhe DR kanë njoftuar se kanë vendosur të bashkëpunojnë para së gjithash për të evituar mundësinë e shpërndarjes dhe humbjes së votës shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›