E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, seancë maratonë për qeverinë e re

Parlamenti maqedonas do të nisë mesditën e sotme, seancën ku do të diskutohet për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Seanca pritet të jetë maratonë, pasi për diskutim janë paraqitur mbi 100 deputetë nga 123 që janë gjithsej. Pritet që seanca të zgjasë dy ditë me radhë. Paraprakisht fjalime lidhur me qeverisjen e re do të kenë shefat e grupeve parlamentare.
 

Në takimin e djeshëm koordinues mes shefave të grupeve parlamentare është rënë dakord që seanca sot të zgjasë deri në orën 20.00, ndërsa përfundimi i saj të jetë deri nesër para mesnate.
 

Programi i ri i Qeverisë bazohet tek zhvillimi ekonomik, integrimi në BE dhe NATO si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa janë paraparë edhe pjesë të platformës zgjedhore edhe të BDI-së.
 

Qeveria e koalicionit përbëhet nga VMRO-DPMNE me partitë e vogla si dhe BDI, e cila do të ketë dy zëvendëskryeministra (Teuta Arifi për eurointegrime dhe Musa Xhaferi për Marrëveshjen e Ohrit), si dhe pesë ministri: Fatmir Besimi, ministër i Mbrojtjes, Blerim Bexheti, ministër i Drejtësisë, Abdilaqim Ademi, ministër i Ambientit Jetësor, Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë dhe Nevzat Bejta, ministër i Pushtetit Lokal.

Pas kësaj seance ku do të zgjidhet kabineti i ri qeveritar i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe BDI, të premten në Parlament do të dorëzohen dhe votohen propozimet për zëvendësministra.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›