Maqedoni, shqiptarët fitojnë Kërçovën – rikonfirmohen në Tetovë, Gostivar, Çair, Dibër dhe Strugë
Kandidati shqiptar për Kërçovën Fatmir Dehari ka fituar komunën e Kërçovës, përballë kandidatit të partive maqedonase. Kjo është hera e parë pas 70 viteve, që Kërçova do të drejtohet nga një kryetar shqiptar. Sipas rezultateve zyrtare, kandidati shqiptar i Bashkimit Demokratike për Integrim, Fatmir Dehari i përkrahur nga të gjitha partitë shqiptare ka fituar me një epërsi prej mbi 1400 votave.
Dehari ka faleminderuar të gjithë bashkëatdhetarët që kanë ardhur nga çdo cep i botës, popullin e Kërçovës që kanë votuar për fitoren e arritur. “Gjithë shqiptarët sot i kishin këtu, edhe Tirana edhe Prishtina. Kërçova sot dha një provim të madh, dhe tregoi se vlerat demokratike qytetare që i kanë shqiptarët. Mua më mbetet që të vazhdoj punën dhe të realizojmë projektet. Populli bëri punën e vet, dhe neve tani na takon që të bëjmë ne për popullin”, theksoi Fatmir Dehari.
Fitoren në Kërçovë e ka uruar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se Kërçova është fituar dhe ai ftoi qytetarët që të festojnë për fitoren, por duke u treguar të përmbajtur.
Edhe zëvendës – kryeministri Musa Xhaferri ka konfirmuar nga shtabi i BDI-së në Kërçovë për fitoren dhe se ai me këtë rast ka uruar të gjithë qytetarët që kanë dhënë votën për BDI. Ai me këtë rast theksoi se pikërisht kanë mërgimtarët që kanë sjellë fitoren për Kërçovën.
“Do t’i falënderoj përzemërsisht mërgimtarët që iu bashkëngjitën kësaj beteje dhe ata ishin vendimtarë në këtë fitore. Besoj se zgjedhjet kanë kaluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente dhe këto zgjedhje ishin më demokratike dhe një test për të gjitha zgjedhjet të organizuara në Maqedoni”, theksoi Xhaferri.
Në Kërçovë ka nisur festa për fitoren e kësaj komune nga shqiptarët dhe se mijëra mërgimtarë janë pjesë e kësaj fitore, të cilët po festojnë bashkërisht pranë shtabit të BDI dhe në pjesën qendrore të qytetit.
BDI ka shpallur fitore edhe në disa komuna të tjera, si në Çair të Shkupit, në Tetovë, në Gostivar, në Saraj dhe në disa komuna të tjera. Ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare ka shpallur fitore në komunën e Strugës, ku kandidati i saj Ziadin Sela ka fituar më shumë vota se kundërkandidati i tij nga BDI- Arben Llabënishti, ndërsa është renditur pas kandidatit të përbashkët maqedonas, të cilin do të garojë në raundin e dytë zgjedhor në 7 prill. Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE ka shpallur fitore që në raundin e parë në 25 komuna të vendit, ndërsa Lidhja socialdemokrate e Maqedonisë ka hedhur akuza për procesin zgjedhor të një ditë më parë duke kërkuar sqarime për parregullsitë e ndodhura.
Strugë, fiton Ziadin Sela i PDSH, balotazh në raundin e dytë më kandidatin maqedonas
Në bazë të rezultateve jozyrtare të publikuara nga Shtabi zgjedhor i PDSH-së, në raundin e parë të garës për kryetar të komunës së Strugës, kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela, është në epërsi dhe sipas të gjitha gjasave ai do të garojë në balotazh me kandidatin e koalicionit të bllokut maqedonas, Vladimir Koçoski, i cili sipas Shtabit të VMRO-së, është në epërsi edhe para Ziadin Selës. Rezultatet e para të garës zgjedhore, kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela, ka 11 414 vota, ndërsa kandidati i BDI-së, Arben Labënishti ka 9 354 vota.
Në bazë të këtyre rezultateve që akoma nuk janë konfirmuar nga KKZ në Strugë, ndërsa nga Shtabi i bllokut maqedonas sapo njoftuan se kandidati Vlladimir Koçoski ka siguruar mbi 14 497. Kjo nënkupton se në balotazh pas dy javësh do të garojnë kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela dhe kandidati i bllokut maqedonas Vlladimir Koçoski.
Sa i përket listave të këshilltarëve, nuk ka asnjë informacion as nga shtabet e as nga KKZ-ja.
Ali Ahmeti: BDI shënoi fitore bindëse, mbështetje Selës në Strugë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim sonte në konferencën e fundit për shtyp shpalli fitoren në komunën e Tetovës, Dibrës, Çairit, Zhelinës, Bogovinës, Sarajit, Likovës, Pllasnicës si dhe në Kërçovë. “BDI-ja ka fitore të shkëlqyeshme në Tetovë, me dallim gati prej 4000 votave, epërsi të lehtë në Gostivar, Haraçinë, Stuteniçan, Bërvenicë, Vrapçisht dhe në Dollnen”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Ai gjithashtu publikoi se BDI-ja në raundin e parë e ka humur komunën e Strugës. “Kjo nuk do të thotë që ne të ngremë flamurin e bardhë, sepse struganët na kanë votuar për kandidatin tonë Arben Llabënishti, të cilët shumë i falënderojmë”, theksoi Ahmeti
Ai shtoi se humbja është betejë e fitores politike dhe i bën thirrje elektoratit të BDI-së që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ta mbështesë kandidatin e PDSH-së, Zijadin Sela për kryetar të komunës së Strugës. “Domethënë, se puna vazhdon. Raundi i dytë është pas dy javësh, ne na mbetet që të angazhohemi intensivisht për kurorëzim të fitores së plotë të BDI-së. Do të doja që gjithashtu, të bëj një apel nga këtu për të gjithë ata njerëz që kanë dalë të shfaqin gëzimin e tyre në Kërçovë, që të jenë të përmbajtur, të kujdesshëm, kjo fitore u takon të gjithë qytetarëve në Kërçovë, sepse kryetarët që janë zgjedhur dhe ata që do të zgjidhen kanë obligim që të kujdesen dhe të punojmë për të gjithë komunitetin që jeton aty, prandaj këtë apel jua bëj edhe juve të pranishëm këtu, që të jeni të përmbajtur, në shprehjen e ndjenjave”, tha Ahmeti.
Menduh Thaçi: PDSH, rritje të votave
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në një konferencë për mediat ka theksuar se BDI ka arritur rezultat të pëlqyeshëm në këto zgjedhje, ndërsa ai njoftoi edhe fitoren e kandidatit të PDSH-së, Zijadin Sela në Strugë. “Ne mendojmë se është rezultat i kënaqshëm për PDSH-në. Ne arritëm rezultatin ta rrisin prej 85 mijë votave dhe kjo jep perspektivë për më tutje”, theksoi Thaçi. Ai theksoi se PDSH do të tentojë që në rrethin e dytë të fitojë edhe Tetovën.
51.427 vota është dallimi mes BDI dhe PDSH
Në zgjedhjet lokale 2013, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 118.727 vota në nivel republikan.
Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, ka grumbulluar gjithsej 67.300 vota.
Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit, renditet e treta me 21.670 vota.
Vlen të përmendet se këto vota janë mbledhur bazuar në të dhënat zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa e përfshirë komunën Haraçinës, për të cilën ende po numërohen votat.
Ndryshe, BDI-ja ka fituar 12 komuna, PDSH deri tani e ka të sigurt komunën e Strugës, ndërsa në raundin e dytë shkon me Tearcën, RDK-ja, shkon në balotazh me Komunën e Gostivarit.
BDI – 118 727 vota
PDSH – 67 300 vota
RDK – 21 670 vota
Rezultatet në disa prej komunave të Maqedonisë
Kërçovë
Fatmir Dehari (BDI) 17 041 vota
Blagoja Despotovski (VMRO) 15 530 vota
Gostivar
Rufi Osmani (RDK) 14.278 vota
Nevzat Bejta (BDI) 13.577 vota
Miat Sadiku (PDSH) 2 804 vota
Tetovë
Teuta Arifi (BDI) 18.429 vota
Sadi Bexheti (PDSH) 15 116 vota
Izet Zeqiri (RDK) 2 250 vota
Strugë
Ziadin Sela (PDSH) 11 414 vota
Arben Llabënishta (BDI) 9 354 vota
Vladimir Kocovski (VMRO) 14 497 vota
Dibër
Ruzhdi Lata (BDI) 6 056 vota
Mexhit Dika (PDSH) 1 144 vota
Ibrahim Kolari (I pavarur) 1 230 vota
Çair (Shkup)
Izet Mexhiti (BDI) 16.110
Muhamed Taçi (PDSH) 5.641
Saraj (Shkup)
Bekim Murati (BDI) 8.880 vota
Azbi Nuredini (PDSH) 6.369 vota
Blerim Halimi (RDK) 344 vota
Haraçinë (Shkup)
Brahim Ajvazi (BDI) 2.124 vota
Bastri Bajrami (I pavarur) 1.652 vota
Avni Gafuri (PDSH) 621 vota
Fekri Bilalli (RDK) 80 vota