Maqedoni, skenaret serbe për ndarje rrezikojnë Ballkanin
Partitë politike në Maqedoni vlerësojnë se debati i vazhdueshëm që konsiston në ndarjen e Kosovës po trimëron dhe po afirmon konceptin e ndarjes edhe në Maqedoni. Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI) dhe nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti thekson se partia e tij është e shqetësuar nga promovimi më i theksuar i projekteve ndarëse në rajonin e Ballkanit Perendimor. Sipas tij, zhvillimi i tendencave të tilla për ndarje në Kosovë, sidomos të veriut nga pala serbe gjithësesi po reflektohen edhe në Maqedoni. "Ne me vëmendje të madhe po ndjekim zhvillimet në rajon sidomos në Kosovë. Mundësitë dhe tendencat për ndarje të Kosovës sigurisht që kanë shkaktuar pakënaqësi edhe tek shqiptarët në Maqedoni", theksoi nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti. Ai vlerëson se mund të nxiten forca të errëta që sigurisht do të kërkojnë kufijë të rinj në Ballkan. "Kjo mendoj se nuk është në interes të përgjithshëm të rajonit", deklaroi Haliti.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe deputeti Imer Aliu kritikoi Qeverinë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI për qasjen joserioze ndaj çështjeve të ndjeshme në vend dhe rajon. "Qasja joserioze e Qeverisë aktuale për çështjet serioze të shqiptarëve në Maqedoni mund të shkaktojë për eskalim eventual të situatës", paralajmëron deputeti Imer Aliu. Sipas tij, Qeveria duhet që në mënyrë serioze ti trajtojë çështjet siç janë gjuha shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare dhe rastet e Hagës, ku ngarkohen për vepra edhe ish-komandantë të U]K-së. "Historia, sidomos historia më e afërt, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet ndëretnike na ka treguar dhe vërtetuar se zhvillimet në Ballkan mund të kenë edhe efektin domino", theksoi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu. Ndëkaq, Lidhja Social Demokrate në opozitë (LSDM) vlerëoi se tejet të rrezikshme situatën aktuale në Maqedoni, duke vlerësuar se mbetja jashtë ombrellës së sigurisë të Aleancës Veriatlantike është një sfidë që duhet të ballafaqohet Qeveria aktuale. "Ne kishim mundësinë si vend që njëherë e përgjithmonë t'i betonojmë kufijtë tanë edhe ate duke qenë anëtare të NATO, por këtë shansë e lëshuam", theksoi anëtari i lartë i LSDM-së, Goran Minçev.