E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, sot afati i fundit për kthimin e opozitës në Parlament

Mazhoranca maqedonase i ka bërë ftesë opozitës për të bashkëpunuar për të realizuar kushtet për zgjedhjet e parakohshme.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka theksuar se dita e sotme është afati i fundit për kthimin e opozitës në Parlament për të bashkëpunuar lidhur me zgjedhjet e parakohshme.

Kryeparlamentari këto komente i bëri pas dështimit të disa takimeve të thirrura gjatë këtyre dy javëve për të tejkaluar mosmarrëveshjet dhe për të shqyrtuar kërkesat e opozitës që kanë të bëjnë me bojkotin.

“Është e pakuptimtë që ata që kërkojnë zgjedhje, në vend që të bisedojnë për pikat e propozuara për zgjidhje, ata i bëjnë obstruksione procesit”, theksoi Veljanovski, i cili shpreson se sot do të kthehen në Parlament deputetët e opozitës.

Ai theksoi se në rast se nuk kthehet opozita, maxhoranca do të jetë e detyruar për të vazhduar punët.

Sipas tij, në rast të pjesëmarrjes së opozitës do të zgjidhet kryetari i KSHZ-së, do të formohet komisioni për pastrimin e listave zgjedhore, të miratohen ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe do të shqyrtohen kërkesat e opozitës.

Por LSDM kërkon që pa zgjidhjen e kërkesave të saj nuk do të kthehet në Parlament dhe do të bojkotojë zgjedhjet. Kjo parti kërkon zhbllokimin e llogarive bankare të televizionit A1 dhe tre gazetave ditore të lidhura me biznesmenin e burgosur Velija Ramkovski, pastrimin e listave zgjedhore, ndarjen proporcionale të mjeteve të buxhetit për reklamim tek mediat, ndryshimet e Kodit zgjedhor, etj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›