E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, zgjedhjet e parakohshme në qershor

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni pritet të mbahen në qershor dhe partitë e pozitës dhe opozitës pritet të përafrojnë qëndrimet rreth caktimit të datës së saktë.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e lajmeve INA nga burime të afërta me Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ku janë nisur aktivitetet intensive për përgatitjet për zgjedhjet e paralajmëruara.

“Sipas gjitha gjasave zgjedhjet do të mbahen në qershor dhe do të ketë një kompromis midis partive më të mëdha për caktimin e datës së saktë. Tani për tani ka sinjale se do të ketë një marrëveshje që të shpërndahet Parlamenti në kohën e duhur që zgjedhjet të jenë më së voni në qershor”, theksoi një zyrtar i KSHZ-së për agjencinë e lajmeve INA.

Partitë e koalicionit të udhëhequra nga VMRO-DPMNE përmes mediave kanë paralajmëruar se zgjedhjet do të mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit, duke përmendur datën e 5 qershorit.

Kreu i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dje bëri të ditur se 26 qershor është data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë shqiptare BDI, DR, PDSH dhe forcat e tjera politike janë të gatshme për të hyrë në garën zgjedhore, por duke mos saktësuar ndonjë datë të përshtatshme për mbajtjen e tyre.

Demokracia e Re së fundi ka ndërmarrë një nismë me përfaqësues ndërkombëtar për të zhvilluar një takim liderësh për arritjen e një kompromisi për zgjedhjet dhe plotësimin e parakushteve të kërkuara nga opozita.

Partitë politike pritet të arrijnë marrëveshje për çështjet kyçe për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe shmangien e bojkotimit të tyre nga opozita.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›