Maqedoni, zyrtarizohet marrëveshja PDSH-LSDM

Zyrtarizohet marrëveshja mes dy partive opozitare në Maqedoni LSDM-së dhe PDSH-së. Takimi i dy liderëve të partive u cilësua si historik dhe cilësor, për shkak se për herë të parë formohet një koalicion parazgjedhor mes dy partive të etnive të ndryshme. Ata theksuan vetëm tre arsyet kryesore që çuan drejt formimit të këtij koalicioni, gjendjen e rëndë ekonomike, mungesën e demokracisë dhe ngecjen e euro-integrimeve. Ndërsa si qëllim kryesor theksohet largimi i qeverisë aktuale.Dallimi i vetëm në qëndrimet e dy partive, është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit për të cilën, është lënë hapësirë të diskutohet gjatë takimeve të ardhshme të grupeve të punës të këtyre dy partive.
“Kuptohet se ka dallime mes partive tona. Një pjesë e dallimeve janë serioze dhe do të mbeten edhe në të ardhmen. Do të përmend një; ai është qëndrimi ynë lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për LSDM-në, çelësi për marrëdhënie të mira ndëretnike qëndron tek implementimi i plotë dhe i drejtë i Marrëveshjes. Sipas asaj që patëm mundësi të dëgjonim nga ana e PDSH-së, ata konsiderojnë se ajo është e pamjaftueshme dhe nevojitet ndryshime dhe mbindërtim... Maqedonia bashkohet kundër kësaj qeverie. Nga dita në ditë Fronti Opozitar bëhet më i gjerë, më i fuqishëm. Ky është proces që ka filluar dhe nuk ka të ndalur”, deklaroi Branko Crvenkovski, kryetar i LSDM.
“Është një kualitet i jashtëzakonshëm demokratik i ri në Maqedoni, transparenca e partive politike. Mendoj se marrëveshja për zgjedhjet lokale mes LSDM dhe PDSH e ka në vete transparencën. U garantoj qytetarëve sidomos shqiptarëve se edhe më tutje çdo gjë që do të bisedojmë dhe do të merremi vesh me LSDM do të jetë tërësisht transparente”tha Thaçi.
Krerët e dy partive floën edhe për retorikën e përdorur në të kaluarën për akuzat ndaj njëri tjetrit. Reagime të shumta ka shkaktuar në Shkup paralajmërimi i bashkëpunimit zgjedhor mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase. Sipas detajeve të publikuara deri tani, PDSH dhe LSDM do të ndihmohojnë njëra tjetrën në ato komunat ku kandidati I njërës parti ka më shumë mundësi të fitojë.