E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria e gazetarëve, problem serioz

OKB-ja thotë se çdo vit në botë vriten një numër i madh gazetarësh dhe shumë pak nga autorët e vrasjeve janë nxjerrë para drejtësisë.

Korrespondentja amerikane e luftës, Maria Colvin dhe fotoreporteri francez, Remi Ochlik, u vranë në Siri më 22 shkurt. Ata ishin mes 65 gazetarëve të vrarë në 5 muajt e parë të vitit 2012. Sipas agjencisë zvicerane të lajmeve ATS, kjo shifër është 50 për qind më e lartë se vitin e kaluar. Të paktën 15 prej viktimave humbën jetën në Siri, 7 në Meksikë dhe 6 në Somali.

Raporti më i fundit i organizatës “Reporterët pa Kufi” thotë se gjatë vitit 2012 janë futur në burg 163 gazetarë. “Nëse i hedhim një vështrim raportit të vitit të kaluar, duket se për sa i përket nivelit të burgosjes, dhe humbjes së jetës së gazetarëve, ndeshemi me një problem tepër serioz”, u theksua në raport.

Këtë vit, hetuesi i posaçëm i OKB-së për Ekzekutimet Arbitrare, Christof Heyns, e përqendroi raportin e vet vjetor tek mbrojtja e jetës së gazetarëve.

“Nga statistikat, të krijohet përshtypja se gazetarët më të kërcënuar janë ata që mbulojnë konfliktet e armatosura. Por në fakt dy të tretat e vdekjeve mes gazetarëve ndodhin jo në vendet ku ka konflikte të armatosura”, theksoi Heyns.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›