Maqedoni,Boshkovski do qëndrojë 30 ditë në paraburgim

Ish ministri i brendshëm në Maqedoni, Lube Boshkovski do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim dhe nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në 8 vjet burgim. Ai u arrestua dje pasdite me dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës parazgjedhore dhe keqpërdorim do të detyrës zyrtare. Gjatë arrestimit të Boshkovskit pranë një restoranti në Shkup, në makinën e tij u gjetën 100 mijë euro, një pistoletë dhe sende të tjera që janë konfiskuar për hetime.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski deklaroi se Boshkovski dy herë gjatë fushatës ka pranuar para nga një person i tretë, të cilat në mënyrë të paligjshme janë shpërndarë për fushatën zgjedhore.
Pas arrestimit, përkrahësit dhe familja e tij kanë protestuar para komisariatit të policisë si dhe pranë Gjykatës themelore në Shkup. Boshkovski në krye të partisë së sapoformuar Të Bashkuar për Maqedoninë (OM) në këto zgjedhje nuk arriti të sigurojë asnjë vend në Parlamentin e Maqedonisë. Ai gjatë fushatës kishte drejtuar akuza dhe materiale lidhur mbi pronën dhe pasurinë jashtë vendit të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe familjarit të tij, Sasho Mijallkov, i cili drejton Drejtorinë e Sigurimit Shtetëror.