Fajon dhe Pack: Maqedonia t`i përkushtohet integrimit

Eurodeputetët përshëndesin rezultatet e zgjedhejve në Maqedoni, ndërsa kërkojnë nga pushteti i ri dhe opozita dialog të vërtetë dhe përkushtim për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas Deutsche Welle në Strasburg dhe Bruksel, nuk fshihet dëshira për formim sa më të shpejtë të Kuvendit dhe qeverisë së re, që Maqedonia dhe qytetarët e saj të mos humbin kohë.
“Shpresoj se pas këtyre zgjedhjeve, dialogu mes pushtetit të ardhshëm dhe opozitës së ardhshme do të vendoset sërish dhe se diskutimet mes tyre do të jenë më të lehta. Kjo posaçërisht është me rëndësi, pasi fotografia me zënkat që ata jepnin gjatë kohës së zgjedhjeve, me të vërtetë nuk ishte më e mira që kemi mundur të shohim në gazetat tona”, ka thënë eurodeputetja gjermane nga radhët e partive popullore, Doris Pack ndërsa ka shtuar se është befasuar nga toni shumë i ashpër i përdorur në fushatën parazgjedhore.
Ndërsa eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka deklaruar se shpreson se këto zgjedhje do të mbahen mend në histori si demokratike dhe korrekte dhe se pushteti i ri do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
“ Ajo që tani i duhet Maqedonisë është hapi përpara sa është e mundur më shpejt, pasi pritjet këtu në Bruksel dhe Strasburg janë se raporti i Komisionit evropian në tetor do të jetë kritik", vlerëson eurodeputetja sllovene Tanja Fajon nga radhët e grupit të socialistëve evropianë.
Dy eurodeputetet nga grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, të cilat e njohin mirë Maqedoninë dhe rajonin, theksojnë se para udhëheqësve të sapozgjedhur të Maqedonisë mbeten edhe shumë punë dhe detyra.
Fajon thekson Brukseli dhe Strasburgut presin që vendi menjëherë pas zgjedhjeve të përmbushë edhe kriteret e kërkuara.
“Maqedonia duhet sa më shpejt që të jetë e mundur të vazhdojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, të vazhdojë me axhendën evropiane dhe me të gjitha reformat të cilat janë të nevojshme për këtë”, ka thënë Fajon.
Në këtë kontekst, eurodeputetja sllovene thekson se nevojitet të gjendet sa është e mundur më shpejt zgjidhje për emrin.