E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia ende dhimbje koke për BE-në?

Sipas pohimeve diplomatike, ritmi i kryerjes së reformave të kërkuara nga BE-ja është në një nivel të pakënaqshëm

Komisioni Europian është i shqetësuar për keqësimin e klimës politike në Parlamentin e Maqedonisë, vuri në dukje këto ditë kabineti i komisionerit për zgjerimin të BE-së, Stefan Fyle, duke reaguar, në mënyrë të veçantë, ndaj incidentit të rëndë të fundit që ndodhi në mjediset e këtij Parlamenti në Shkup dhe në të cilin u përfshinë deputetë të partisë kryesore opozitare, LSDM (Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë), dhe roja të sigurisë së këtij Parlamenti. LSDM-ja, mbas këtij incidenti, akuzoi pushtetin qendror se ai pengon veprimtarinë dhe lëvizjen e lirë të deputetëve të opozitës. Brukseli, me këtë rast, u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në vend që të fillojnë menjëherë dialogun politik për përmirësimin e klimës së përkeqësuar dhe të ndërtojnë marrëdhënie të besimit reciprok. Dialogu politik, vihet në dukje në komunikatën e kabinetit të lartpërmendur të Fyles, së cilës i referohet ditët e fundit media maqedonase, është përgjegjësi e përbashkët e partive të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës. Pritet që KE-ja t’ua transmetojë direkt mesazhin e vet me qortime pushtetit qendror në Shkup dhe liderit të partisë opozitare kryesore, LSDM, se Brukseli zyrtar ka vërejtje sa i përket funksionimit dhe pjekurisë së institucioneve demokratike të një vendi që aspiron të anëtarësohet në NATO dhe BE. Sipas medias maqedonase, vërejtjet e lartpërmendura me siguri janë tema prioritare bisedimesh në takimet e Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, që ndodhet aktualisht në Bruksel, me Kryeministrin Iv Leterm të Belgjikës që ka kryesinë e radhës së BE-së, dhe të kryetarit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, në Strasburg, ku ai pritet të bisedojë sot me komisionerin për zgjerimin të BE-së, Stefan Fyle.

Megjithëse problemi i mosmarrëveshjes ende të pazgjidhur për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë mbetet pengesë kryesore për eurointegrimin e Maqedonisë, Komisioni Europian, në disa raste, madje edhe kohët e fundit, e ka paralajmëruar atë se kjo mosmarrëveshje nuk duhet të shfrytëzohet për mbulimin e mangësive të tjera në këtë vend. Maqedonia, qëkur ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, para afro pesë vjetësh, është kritikuar herë pas here nga Brukseli për shkak të zbatimit të ngadaltë dhe të pamjaftueshëm të axhendës europiane, në radhë të parë, se ritmi i kryerjes së reformave të kërkuara nga BE-ja është në një nivel të pakënaqshëm, sidomos në sistemin gjyqësor, se ajo ka miratuar ligje që nuk mbështeten në standardet europiane, sikurse ishte një i tillë ligji për antidiskriminimin, se vendet e punës në administratën publike ende ndahen sipas përkatësisë partiake, ndërkohë që shqetësime ngjall edhe keqësimi i situatës lidhur me lirinë e medias në këtë vend. Të gjitha këto vërejtje, sikurse vihet në dukje në qarqet diplomatike në Bruksel, të cilave u referohet media maqedonase, pritet që të pasqyrohen në raportin e ardhshëm të BE-së për Maqedoninë dhe ato edhe një herë tjetër kërcënojnë seriozisht që këtij vendi përsëri të mos i përcaktohet data për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›