E Diel, 1 Nëntor 2026

Derdhet solar, masa për firmën që shkaktoi ndotjen mjedisore

Vlorë Shkak, një defekt gjatë shkarkimit të boteve

Derdhet një sasi e konsiderueshme solari, ndotet bregdeti i plazhit të vjetër në Vlorë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, gjatë shkarkimit të boteve me hidrokarbure, për shkak të një defekti janë derdhur rreth 20-30 tonë solar. Punëtorët e firmës që kryente transportin janë përpjekur të ndalojnë depërtimin në det, duke ngritur masivë rëre. Sipas banorëve, solari është përhapur në ambientin përreth depozitës, ndërsa një pjesë është derdhur edhe në bregdet. Policia private nuk ka lejuar askënd t’i afrohej zonës, për shkak të nxehtësisë dhe problemeve që mund të shkaktonte. Të shqetësuar nga kjo katastrofë mjedisore, banorët e plazhit të vjetër janë shprehur se ndihen të rrezikuar nga sasia e konsiderueshme e solarit të derdhur pranë shtëpive të tyre. “Rreziku i ndotjes së plazhit ka qenë dhe për ne rrezik. Gjatë gjithë natës kemi lënë çezmat hapur, për arsye që masa e solarit të ngurtësohej dhe të mos na futej brenda në banesa”, kanë thënë për “Shqip” banorët. Kreu i Agjencisë së Mjedisit në Vlorë, Niko Dumani, konfirmoi se po merren masat administrative për penalizimin me gjobë të shoqërisë që kreu ndotjen. “Në Vlorë mbetet problem mungesa e përgjegjësisë së biznesit për çështjet ambientale. Nga konfirmimet tona rezulton se sasia e hedhur në breg të detit është solar i pastër dhe i papërpunuar”, ka thënë Dumani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›