E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia ende larg NATO-s e BE-së

Nga Express më 02 maj 2011 në ora 11:41

Tashmë 20 vite Maqedonisë i janë të njohura kushtet dhe prioritetet për hyrje në strukturat euroatlantike, mirëpo elitat politike janë treguar të pa afta për përmbushjen e tyre.

Komisioni Evropian për çdo vit përmes raporteve të progresit e përkujton Shkupin zyrtarë për reformat e domosdoshme në sistemin e jurisprudencës, në administratën publike, dialogun politik, të drejtat e njeriut dhe shumë sfera tjera.

Mirëpo rezultatet mungojnë, Maqedonia nuk është integruar në NATO dhe BE, zgjidhje për emrin nuk kemi, ekonomia po dobësohet, ndërsa marrëdhëniet ndëretnike gjithnjë e më tepër tendosen.

Përderisa karvanët e partive politike në prag të zgjedhjeve parlamentare e përshkruajnë vendin për të gllabëruar sa më shumë vota, harrohen ngjarjet që sinjalizojnë se pozicionet e Maqedonisë po dobësohen në të gjitha sferat dhe frontet e rëndësishme.

Në fjalimet e politikanëve shumë pak përmenden problemet reale të Maqedonisë, integrimet euroatlantike, çështja e emrit, varfëria e skajshme e popullit, ata më shumë akuzojnë, fyejnë njëri tjetrin për dështimet e njëpasnjëshme në 20 vitet e fundit.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane vlerëson se Maqedonia është duke ecur në rrugën e gabuar, e cila nuk e shpie drejtë integrimit në strukturat euroatlantike.

OBRIE e sheh si urgjente zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë, reformat në gjyqësi, administratë si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›