Maqedonia në heshtje zgjedhore – nesër votohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit
Në Maqedoni ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, dhe se partitë mbrëmë i dhanë fund fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën. Për 20 ditë fushatë partitë politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur shpalosën programet dhe platformat zgjedhore para elektoratit për të kërkuar votën dhe besimin e qytetarëve. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Në 2.976 vendvotime votën e tyre, sipas listës zgjedhore duhet ta japin 1.743.403 qytetarë. Për Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe për kryetar të komunës së qytetit të Shkupit të drejtën e tyre të votës mund ta shfrytëzojnë 443.770 qytetarë të regjistruar në Listën e vetme zgjedhore të 536 vendvotime. Komuna me vetëm tre vendvotime është Vevçani ku duhet të votojnë 2.055 qytetarë, derisa Kumanova ka më së shumti të voues të regjistruar në Listën zgjedhore 88.708 të cilët duhet të votojnë në 128 vende. Numër më të madh të vendvotimeve ka komuna e Manastirit 152, ndërsa atje duhet të votojnë 81.000 qytetarë. Një ditë para zgjedhjeve, përkatësisht të shtunën të drejtën e tyre të votës në institucionet ndëshkuese-përmirësuese do ta realizojnë 1.446 votues, ndërsa jashtë nga vendi i banimit 136 votues me status të personave të brendshëm të zhvendosur, personat që gjenden në mbajtje të masës burgim shtëpiak dhe të pafuqishmit dhe personat e sëmurë të cilët deri më sot në mesnatë do ta kërkojnë atë nga komisionet zgjedhore komunale. Këto zgjedhje do të monitorohen nga 8.379 vëzhgues vendor dhe 410 vëzhgues të huaj të akredituar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). KSHZ-ja njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet, ndërsa materiali zgjedhor tashmë është vendosur te organet kompetente për zbatimin e tyre. Kutitë e votimit të dielën do të hapen në ora 7.00 dhe do të zgjasin deri në ora 19.00. Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, të ardhshmet në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, ndërsa të fundit në vitin 2009. Autoritetet thonë se kanë marrë të gjitha masat që zgjedhjet të mbahen në një atmosferë të rregullt. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për një proces të qetë, të drejtë dhe të ndershëm të zgjedhjeve.
Strategjia e autoriteteve maqedonase për tu mohuar të drejtën e votës emigrantëve
"Ndalohet ulja e avionëve në Shkup"
6 avionë me emigrantë shqiptarë janë ndaluar të ulen nga Agjencia e Fluturimeve Maqedonase. Vetëm një ditë nga zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën në të gjithë vendin, qindra emigrantë shqiptarë kthehen në Maqedoni për të votuar. Kërkesat e aviokompanive “Air Bukuresht” dhe “Enter Air”, për ulje në Maqedoni janë refuzuar për shkak se ato nuk kishin plotësuar procedurat evropiane dhe se me këtë qëllim është bërë refuzimi. Dy aviokompanitë kishin për qëllim të realizonin fluturime çarter të shtunën dhe të dielën në këtë destinacion, ndërsa të gjithë pasagjerët ishin mërgimtarë që do të mbërrinin në vend për zgjedhjet lokale të 24 marsit. Partitë Shqiptare në Maqedoni po punojnë për uljen e avionëve, ndërkohë që raportohet se në total janë 20 avionë me emigrantë që kthehen për të votuar.
...