Maqedonia në udhëkryq politik dhe kushtetues
Raporti vjetor i progresit i Këshillit të Evropës (KE) për Maqedoninë, që duhet të shpallet në fillim të tetorit, pritet të jetë gjithëpërfshirës dhe real: në njërën anë do t’i lavdërojë përparimet që janë bërë në realizimin e reformave, pas bisedimeve paraqasëse me Maqedoninë, që i nxiti BE-ja në fillim të vitit, kurse në anën tjetër do të ketë disa kritika dhe vërejtje, nga të cilat më të theksuara do të jenë ato për mungesë dialogu institucional mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, që shkakton edhe krizë politike dhe kushtetuese, por edhe vërejtje për një qasje jo konstruktive diplomatike të kreut maqedonas për zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët, së voni edhe me Bullgarinë që është anëtare e BE-së.
Elita politike pushtetmbajtëse në Maqedoni, duke abstraktuar balancën reale të këtij raporti, ka shpresë iluzore që në tetor do të ketë vlerësim tërësisht pozitiv për Maqedoninë në raportin e progresit. Madje, kjo elitë shkon edhe më tej, duke pritur me optimizëm edhe caktimin e datës për negociata me BE-në në dhjetor, ka kërkuar hapur këtë datë nga eurokomisari për zgjerim, Shtefan Fyle, gjatë vizitës së tij të fundit në Maqedoni. Por kjo vështirë se mund të ndodhë, sepse për caktimin e datës vendos Këshilli i ministrave të BE-së me konsensus, kështu që pritet këtë vendim ta kundërshtojë Greqia, e cila është në kontest me Maqedoninë për emrin.
Diplomacia maqedonase nuk ndalet vetëm me kaq: ajo është shprehur pas vizitës së eurokomisarit Fyle, se “është e interesit të BE-së që të caktojë datë për negociata dhe të pranojë Maqedoninë në BE, sepse në të kundërtën do të humb kredibilitetin e vet integrues”, duke aluduar në atë se gjoja BE-ja do të humb nëse Maqedonia nuk anëtarësohet në BE, që është një non-sens diplomatik.
Fyle ishte shumë i qartë: është naivitet të besohet se Maqedonia në dhjetor do mund të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, duke shtuar madje se është e rrezikshme dhe joreale qasja e palës maqedonase me konceptin që çështja e emrit të mbetet në fund, pas procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Komisionari për zgjerim, Fyle shprehu në Shkup jo vetëm shqetësimin për krizën qeveritare ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, por rikonfirmoi rëndësinë e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, që është një nga shtyllat kyçe të agjendës evropiane të Maqedonisë. Me këtë ai deshi në mënyrë diplomatike t’ua tërheq vërejtjen palëve në pushtet se duhet t’i harrojnë grindjet dhe duhet të kultivojnë mirëbesimin dhe pajtimin ndëretnik mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se nuk duhet të zihen për homazhet ndaj UÇK-së në Sllupçan, për të cilat partia maqedonase në pushtet reagoi ashpër dhe me tone nacionaliste, se “nuk do të lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit maqedonas”, duke imponuar nismën e njëanshme për miratimin e ligjit të ashtuquajtur të “branitellave” (ish-forca maqedonase të sigurisë në konfliktin e vitit 2001), me të cilin ligj ata fitojnë më shumë privilegje, ndërkohë që injorohet tashmë 11 vjet kërkesa për zgjidhjen e statusit social të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe të familjeve të dëshmorëve. Zaten kjo ishte një nxitje shtesë për krizën qeveritare ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Por është vështirtë të konstatohet nëse kryeministri maqedonas e ka kuptuar këtë mesazh të Fyles.
Mësohet se eurokomisari Fyle gjatë takimeve me Gruevskin dhe Ahmetin i ka dhënë qeverisë një vit afat që t’i implementojë ligjet e reja nga agjenda evropiane dhe më së voni deri në shtator të vitit 2013 të kryejë regjistrimin e popullatës, të bëjë “pastrimin” e listave zgjedhore dhe pastaj të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse kjo ndodh, atëherë këto dy parti do të kenë mbështetjen e BE-së. Ahmeti ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në mars të vitit të ardhshëm, së bashku me zgjedhjet lokale.
Në anën tjetër, BDI angazhohet që krahas bllokimit të ligjit për “branitella”, të ruajë koalicionin qeveritar deri në dhjetor, për shkak të mundësisë që Maqedonia të fitojë datën për negociata me BE-në dhe po qe se mbahen zgjedhje të parakohshme, ato mos të jenë para muajit mars.
Ndërkohë kryeministri maqedonas është sjellë kohëve të fundit në mënyrë shumë arrogante ndaj partnerit të vet qeverisës (BDI), por edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ai ka dhënë disa vlerësime nga pozicioni i forcës dhe autoritarizmit, ndonëse në fakt ka një forcë virtuale politike, të cilën e thith nga koalicioni qeveritar me BDI-në. Po qe se BDI hiqet nga qeveria, atëherë kjo forcë shndërrohet në një flluskë sapuni.
Së këndejmi, është e pajustifikueshme që BDI të mbetet edhe më tej në qeveri, nëse në këtë koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në vërtet janë prishur raportet, madje është pak e besueshme se në të ardhmen do të përmirësohen. Ato mund të “përmirësohen” vetëm me nënshtrimin fatal të “integristëve”. Andaj është e pakuptueshme vendimi i BDI-së për mbetje në qeveri, për zvarritje të proceseve në koalicionin qeveritar, përkundër zënkave dhe mosmarrëveshjeve mes partnerëve.
Shtrohet edhe një pyetje hipotetike për atë se ç’do të bëhet nëse në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, të cilat janë të pashmangshme, përsëri do të fitojnë VMRO-DPMNE dhe BDI? Është pak e besueshme se ky koalicion, pas këtyre zënkave të rënda, në të ardhmen mund ta udhëheq vendin. Është pak e besueshme se VMRO përsëri do ta marrë në qeveri BDI-në, nga e cila është “dëshpëruar” dhe e ka shpallë si të “padëgjueshme”, sikundër që do të konsiderohej tradhti nëse BDI-ja lidhë koalicion me këtë parti, e cila qe katër vjet ka nënshtruar, nënçmuar dhe ka nëpërkëmbur dinjitetin e saj. Përkundër këtij fakti, BDI nuk ka treguar gatishmëri që të hyjë në kombinime për një shumicë të re parlamentare me LSDM-në opozitare.
Andaj strukturat në BDI duhet të hartojnë një strategji të re politike të veprimit, edhe për atë se si do të kyçen në zgjedhje. Duhet të ndërmarrin hapa më radikalë, që do të kthejë jo vetëm mirëbesimin tek elektorati shqiptar, por edhe që do të ketë reflektim në kthimin e dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur.
BDI duhet të ketë kujdes në një lidhje të ardhshme eventuale koalicioni me kryeministrin Gruevski, të cilin nuk e duan 99 për qind të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo parti shqiptare është peng i parimit të instaluar nga vetë ajo, duke iu përmbajtur parimit të pashkruar, që në qeveri duhet të jenë partitë fituese në zgjedhje, me legjitimitetin e popullit. Ky parim ka qenë frytdhënës për BDI-në në zgjedhjet e viteve 2008 dhe 2011, që e sollën në pushtet, por ky njëherësh i ka lidhur këmbët asaj, me atë që nëse fiton në zgjedhje të mos mund të përcaktohet për ndonjë partner tjetër nga kampi maqedonas, që më shumë do të përkonte me interesat madhore shqiptare.
Situata aktuale politike në këtë vend ka bërë që BDI-ja në njëfarë dore të jetë shumë e kujdesshme me veprimet e saj, që në asnjë mënyrë të mos provokojë partnerin e vet gjatë kësaj periudhe të aktiviteteve të shumta me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Por, nëse eventualisht VMRO-DPMNE dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare para muajit mars, atëherë pritet të provokojë BDI-në me sjelljen e ligjit të “branitellave” jashtë rregullores parlamentare, që do të jetë shkas për prishjen e koalicionit qeverisës dhe për shpalljen e zgjedhjeve.
Kjo pritet të mos ndodh. Mësohet se Gruevski dhe Ahmeti së fundmi kanë rënë dakord që “tash nuk është koha për zgjedhje të parakohshme”, ndonëse BDI-ja në Parlament do të luajë rolin e “opozitës”, ndërsa në qeveri do të funksionojë sikur nuk po ndodh asgjë. Në të kundërtën, nga tabori i BDI-së janë kategorikë se nëse sillet në mënyrë joligjore dhe jo kushtetuese ligji për “branitella”, atëherë jo vetëm që do të prishet qeveria, por për shkak të rrezikimit të rendit kushtetues, kjo parti do të kërkonte edhe ndryshime kushtetuese në RM.