Projektligji për Gjykatën e Lartë kalon në seancë plenare, opozita refuzon ta votojë
Komisioni i Ligjeve dhe Integrimit shqyrtojnë nen për nen projekt-ligjin
Komisioni i Ligjeve dhe komisioni i Integrimit miratoi ndryshimet në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, dhe projekt-ligji do të kalojë për votimin në seancën e së enjtes.
Pas shqyrtimin nen për nen, projektligji u miratua me votat e anëtarëve të mazhorancës si në komisionin e Ligjeve po ashtu në komisionin e Integrimit. Anëtarët e opozitës në komisionit të Ligjeve pas debateve dhe replikave mes të dyja palëve në komision braktisën punimet e mbledhjes.
Përpara se të largohej në mënyrë demonstrative deputeti i PS-së, Pandeli Majko, deklaroi në mënyrë të pashembullt se opozita nuk do të marrë pjesë në diskutimet për ligjet me 3/5 pa u marrë në konsideratë kërkesa e saj për qarkun e Fierit, që është një çështje në gjykim nga Gjykata. Ra në sy mungesa e reformës parlamentare në fjalën e deputetit Majko, të cilën të hënën e servirën si kusht si një nga pikat e paplotësuara të marrëveshjes parlamentare të 14 nëntorit të vitit të kaluar. Në këto kushte Komisioni i Ligjeve pas disa shtyrjesh me radhë rinisi punën mbi projekt-ligjin, aty ku kishte mbetur në fund të sesionit të shkuar parlamentar, shqyrtimin nen për nen të tij.
Nga ana e tij, kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Ilir Rusmali, deklaroi se opozita u largua pasi nuk ka amendamente të tjera për ligjin.
“Opozita po e bllokon ligjin pasi nuk ka amendamente për Gjykatën e Lartë. Nuk e pengon dot më asgjë diskutimin nen për nen të ligjit, pasi nuk ka asnjë kërkesë nga PS-ja”, deklaroi Rusmali.
Po ashtu ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, konfirmoi se Partia Socialiste nuk ka paraqitur asnjë amendament për ligjin e Gjykatës së Lartë dhe se asnjë prej kërkesave të PS nuk kanë të bëjnë me ligjin, por ato lidhen me kushte politike. Edhe në mbledhjen e djeshme mazhoranca i bërit të ditur opozitës se pengimi i ligjit për Gjykatën e Lartë bllokon si pasojë ngritjen e Gjykatës administrative, që është një domosdoshmëri për plotësimin e rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë debate ka pasur edhe në komisionin e Integrimit ku mazhoranca dhe opozita kanë replikuar jo vetëm debatet por dhe përfundimin, duke e çuar ligjin për Gjykatën e Lartë në seancë plenare. “Ligji duhet të shqyrtohet pasi dje shqyrtimi i tij u ndërpre në mënyrë të njëanshme” theksoi deputetja e PD-së Mesila Doda.
Pas shumë replikash në komisionin e Integrimit, ku ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, fillimisht nuk u pranua të dëgjohej nga deputetët e majtë dhe më pas kreu i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi deklaroi se “kjo letër që firmosni ju është e pa vlerë pa plotësuar 3 kushtet e PS, që janë heqja e tutelës politike nga gjyqësori. Ndërsa në një replikë deputeti i PD Bogdani deklaroi “ju nuk doni të votoni ligjin ndaj refuzoni”.
Pas largimit të tyre, vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës drafti u miratua.
Nga Brukseli është kërkuar që ndryshimet për Gjykatën e lartë të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që të bëhen pjesë e vlerësimit që komisioni pritet të japë për kërkesën e Shqipërisë për Statusin e vendit kandidat.