E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima e urrejtjes, unë, ti dhe të tjerët

26-09-2012 / Nga Eden Babani

Si kategori e ndjesive njerëzore, urrejtja e shtyn individin ose një grup  individësh të synojnë të keqen e një individi ose të një grupi tjetër. Kur arrihet qëllimi, përftohet kënaqësia e njërës palë, por e kundërta e tjetrës, në mos më keq, kjo e fundit nis një cikël të ri urrejtjeje, e cila vazhdon të ngjitet në një spirale pafund. Dashuria është ndjesia e kundërt e urrejtjes. Nga ky kënd vështrimi, e para nuk mund të konceptohet veçan së dytës, ndonëse në kahe diametralisht të kundërta. Urrejtja nxit mospajtim, armiqësi, përplasje. Dashuria, mirëkuptim, bashkëpunim, miqësi. Gjithsesi, filozofë e moralistë të përmasave botërore nuk e përjashtojnë dobinë e urrejtjes për të  keqen, si virtyt njerëzor. Sjell në kujtesë thënien e Paskalit, shkencëtar, filozof, moralist e teolog francez i shekullit XVII, i cili thotë pak a shumë se virtyti i vërtetë është të urresh. Kuptohet, në kufijtë e arsyes.
Klima e paarsyeshme e urrejtjes që mbizotëron tek ne në planin politik, ka shmangur dashurinë e mirëkuptimin, që të mos them se po e shtyn atë në kufijtë e asgjësimit. Siç e kemi nisur, do të vijë një ditë që të asfiksohemi në detin e urrejtjes, bash në humbëtirën e saj më të thellë. Nuk janë të rralla rastet kur shoku urren shokun, kolegu e sheh shtrembër kolegun, fqinji s’ia hedh sytë fqinjit, miku është prishur me mikun, deri pjesëtarë të së njëjtës familje janë përplasur dhëmb për dhëmb e nuk i lëshojnë pe njëri-tjetrit. Shkaku është një: përkatësia politike.
Nuk jam politikan, sado që, qysh prej njëzet vitesh, veprimtaria ime gazetareske i shërben njërit krah të politikës. Duke shprehur urrejtjen ndaj krahut tjetër, ti i shërben krahut tënd më tepër se një qytetar i thjeshtë, i cili e mbështet me votën e vet, do të vërente ndokush. Padyshim, do t’i përgjigjesha. Është më se e vërtetë. Por asnjëherë tej limiteve të arsyes. Përherë, në planin e vëzhgimit e të kritikës politike. S’jam as politolog, sado që përpiqem aq sa mundem të nuhas mes koncepteve të shkencës përkatëse, të politologjisë. Jam qytetar i zakonshëm që, sikurse ti, i nderuar lexues, dhe si gjithë të tjerët, i përjetoj dita-ditës ndjenjat njerëzore, pa përjashtuar urrejtjen dhe admirimin. Në këtë kontekst, them se jam i motivuar nga pikëpamja politike dhe morale, kur urrej me gjithë shpirt regjimin komunist që e katandisi vendin në prag të asgjësimit. Jam, po ashtu, i motivuar kur admiroj proceset demokratike në zhvillim e sipër. Përkatësisht i motivuar jam edhe kur shpreh urrejtjen time ndaj ideve, mentaliteteve ose praktikave politike komuniste, prej të cilave nuk po shpëtojmë dot, ndonëse po trokasim në dyert e BE-së. Në fillim të viteve ’90, kur përmes gazetës Liria, që drejtoja asohere, kërkoja dënimin e Enver Hoxhës, pas vdekjes, them se isha plotësisht i motivuar, ngase përcillja urrejtjen e koncentruar të një kategorie të tërë njerëzish të dënuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Mbase kam shprehur edhe tënden, edhe të atij tjetrit që e ka pësuar nga ai regjim. Mbase kam cenuar dikë tjetër, ithtar të regjimit, duke nxitur urrejtjen e tij ndaj nesh. Ama kam bindjen se në vitin 2012, nuk do të guxonte kush ta zinte në gojë emrin e diktatorit, pa qenë i rrezikuar të dënohej ligjërisht, siç do të dënohej një gjerman nostalgjik i Hitlerit dhe i bëmave të nazizmit.
Sot, unë s’e fsheh urrejtjen ndaj bartësve të ideve e të praktikave në fjalë. Megjithatë, përkujdesem që urrejtja të mos i tejkalojë kufijtë e kritikës, pasi edhe kritika, në një farë mënyre, e ka zanafillën tek urrejtja në lindje e sipër, ndaj një dukurie të caktuar. Deri në këtë limit, përkujdesem të mbaj baraspeshën mes dy ndjenjave njerëzore, duke ecur si pehlivani në tel, që të mos përfundoj në zullumin e njërës ose të tjetrës.
Gjithë këtë tiradë arsyetimesh, i nderuar lexues, e ndërmora jo që të qetësoj ndërgjegjen time, as që të mbush mendjen tënde a ndokujt tjetër. Madje, as që bëhet fjalë për këtë, meqë e kam të qetë më shumë se kurrë. Mbetja u takon bindjeve të tua a të atij tjetrit. E ndërmora, që t’i rikthehem klimës së urrejtjes që po përjetojmë, pasi po fiton shtrirje të papërfytyrueshme. S’ma lëkund kush  bindjen se ajo nxitet nga krahu i kundërt i atij që i përkas. Jo se ma ka ënda, por sepse flasin faktet. E kam shprehur shpesh mendimin tim për shkaqet që u fryjnë erërave, të cilat sjellin këtë klimë. Nuk është vështirë t’i konstatosh ato. Pa përjashtuar edhe plot të tjera, po kujtoj dy a tri që, sipas meje, janë ndër më të qenësishmet: pehlivanllëqet e liderit socialist për të mbijetuar në politikë me ëndrrën e pashpresë se një ditë do të gdhihet kryeministër, gracka në të cilën ai ka futur vasalët e paskrupuj që e kanë ulur shpinën ndaj tij deri në tejskaj, dhe militantët e droguar me mbidozë urrejtjeje.
Duke iu referuar së parës që, s’do mend, është shkak-pasojë me të dytën, sjell në kujtesë disa syresh. Së pari, bllokimin e herëpashershëm të Parlamentit me bojkote të panevojshme. Së dyti, marrjen peng të reformave që kërkojnë shumicë të cilësuar, deri në cakun kohor më të tejskajshëm, kur edhe ndërkombëtarët e humbin durimin me ecejaket e tyre në të ashtuquajturën “Selia Rozë” dhe shtojnë trysninë ndaj saj. Së treti, tensionimin e politikës me kërkesa jo politike, madje jo kushtetuese, me kushte dhe parakushte për të dhënë konsensusin e pritur me ankth nga çdo shqiptar, për votimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE-së. Së katërti, verbërinë me dashje ndaj arritjeve të shumicës qeverisëse, edhe kur ato bëjnë mu, si pranimi i Shqipërisë në NATO, si heqja e vizave në hapësirën Shenghen, si Rruga e Kombit, si përballja e suksesshme e krizës financiare botërore etj. etj. Së pesti, arrogancën me të cilën përpiqet të fshijë arritjet e kundërshtarëve politikë, që të fshehë dështimet e veta të njëpasnjëshme. Së gjashti..., së shtati..., së teti... Së fundmi, deri te tentativa për grusht shteti me viktima të paevitueshme. Urrejtje, kjo çka thashë? Po, pse jo? Veç brenda motivimit tim  politik, në vazhdë të vëzhgimit politik, përzier me kritikë, e cila e ka zanafillën te urrejtja, sipas Paskalit, “virtyt i vetëm i së vërtetës”.
Duke iu referuar së dytës, them se gracka, më mirë kulari me të cilin ka mbrehur lideri socialist stafin e tij të seleksionuar jashtë çdo standardi demokratik, nuk ka nevojë për komente të tepërta. Kulari? A nuk ngërthen urrejtje kjo fjalë? – do të pyesë i revoltuar kundërshtari im i krahut tjetër politik. Po, i nderuar kundërshtar, por jo armik! Jam i motivuar politikisht. Edhe ti je i mirëpritur të shprehësh motivimin tënd politik, po pa më fyer, pa më kërcënuar, madje pa fyer me fjalor rrugësh persona, që s’kanë gisht në debatin tonë.
Duke iu referuar së tretës, që lidhet me militantë të së majtës, të droguar me mbidozë urrejtjeje, them se ata po bëhen rrezik potencial për të ardhmen në çdo hap që hedhim drejt demokratizimit të vendit. Të vjen pështirë të lexosh komente që, ndonëse të motivuara politikisht prej përkatësisë së komentuesve, janë të pamotivuara nga ana morale, sidomos, njerëzore. Duke pasur parasysh militantët e së majtës, nuk përjashtoj raste të militantëve të së djathtës, mbase më të shumtë në numër, por kurrsesi në atë shkallë rrugaçërie e agresiviteti që arrin deri në kërcënim të liderëve partiakë, të gazetarëve të njërës ose të tjetrës gazetë. Motivimi politik nuk ka pse të nxitë urrejtje të tejskajshme e cila të çon në armiqësi. Por, nga ana tjetër, është klima e tensioneve politike ajo që na dëmton të gjithëve dhe që ka një burim të dukshëm...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›