Maqedonia nuk do ta përkrah rezolutën serbe

Shkup, 30 gusht - Ka shumë gjasa që Maqedonia të mos e mbështet propozim – rezolutën serbe për Kosovën të parashtruar në Kombet e Bashkuara. Qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë për Alsat-M e kumtoi ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski. Me propozim – rezolutën e Serbisë kërkohet që të hapen bisedime të reja për statusin e Kosovës.
“Ministria e punëve të jashtme është duke i bërë përgatitjet dhe vlerësimet përfundimtare në lidhje me propozim – rezolutën serbe në Kombet e Bashkuara të cilat janë të bazuara në disa parametra. E para, se Maqedonia ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Beogradin dhe Prishtinën, e dyta, mendimi i Gjyqit Ndërkombëtar për drejtësi në Hagë që mendojmë se është mendim që tregon realitetin në rajon dhe e treta, koordinimi jonë me mikun, Malin e Zi. Republika e Maqedonisë në koordinime të këtilla pranoi pavarësinë e Kosovës, kështu që me Malin e Zi do ta ndërtojmë edhe pozitën tonë për propozim – rezolutën serbe të parashtruar në Kombet e Bashkuara. Në këtë moment mund të them që është gati se e sigurt se Maqedonia nuk do ta përkrah propozim – rezolutën serbe në Kombet e Bashkuara. Në vijë të njëjtë jemi edhe me Podgoricën kurse cili do të jetë votimi jonë përfundimtar do të shohim në ditën e votimit në kuvendin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara", thotë ministri Antonio Milloshoski.